Si e ekzekutoi Enveri natën e Vitit të Ri ‘68-të, krushkun e tij, muzikantin virtuoz të “Dajti”-t dhe hoteleve të Malit të Zi e Bosnjës!

Dashnor Kaloçi/ Memorie.al publikon historinë e panjohur të Gramoz Omarit nga familja e njohur gjirokastrite, muzikantit virtuoz të orkestrave të Hotel “Dajti”-t, “Adriatiku”-t, “Internacional”-it etj, mik dhe shok i ngushtë i Agim Krajkës, Skënder Sallakut, Skënder Plasarit, etj. , i cili pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, u caktua si profesionist në Estradën e Kufirit, duke mobilizuar si oficer me gradën e togerit nga Ministria e Brendshme.

E gjithë historia e tij e dhimbshme që do të kishte një fund tragjik: nga emërimi si mjek në postën e kufirit të fshatit Vermosh, arratisja në shtatorin e vitit 1963, duke kaluar në Jugosllavi, puna për pesë vjet si mjek dhe orkestrant, në disa prej hoteleve më luksoze të Malit të Zi, Bosnjës e Italisë, kthimi në vitin 1968, nga autoritetet jugosllave në bazë të një marrëveshje që kishte bërë UDB-ja me Sigurimin e Shtetit, duke e shkëmbyer me dy shtetas kosovarë, dënimi me vdekje nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Shkodrës, mos pranimi nga ana e motrës së Enverit, Fahrijes, për t’ju lutur të vëllait t’i falte jetën Gramozit, përgjigja e diktatorit për shokun e ngushtë të fëmijërisë “Më mirë të pushk.atohet se të vuaj 25 vjet burg”, refuzimi i oficerit të rojës në Degën e Brendshme të Shkodrës, për të pranuar dy paketa cigare dhe 500 lekë të vjetra, pasi “ishte ekzekutuar vendimi i Gjykatës” e deri tek peripecitë e familjes së tij pas viteve ’90-të për gjetjen e eshtrave të tij, por… pa rezultat?!

Ishte 1 gushti i vitit 1968, ku mes një vape përvëlonjëse, në kufirin shtetëror midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, autoritetet jugosllave, të përfaqësuar nga dy ushtarakë të “UDB”-së, i dorëzuan palës kufitare shqiptare, me anë të një proçes-verbali, oficerin shqiptar, Gramoz Omari. Pasi u kryen formalitetet e duhura, dy përfaqësuesit e palës shqiptare, B. Ndreu dhe B. Shabani, hodhën firmat në aktin e marrjes në dorëzim dhe “Gazi” – 69, ku u “sistemua” i porsaardhuri, mori rrugën gjarpëruese buzë Liqenit të Shkodrës. Kush ishte Gramoz Omari, nga vinte ai dhe përse autoritetet jugosllave e dorëzuan atë, në pikën kufitare të Hanit të Hotit?! Cila ishte marrëveshja e fshehtë në mes dy shteteve që bëri të mundur atë gjë, në një kohë kur marrëdhëniet në mes dy vendeve, ishin tepër të acaruara pasi udhëhiqeshin nga sisteme ideologjike krejt të ndryshme?

Kush ishte Gramoz Omari?

Gramoz Omari kishte lindur në vitin 1938, në qytetin e Elbasanit dhe rridhte nga trungu i familjes Omari të Gjirokastrës, një nga fiset më të njohura të atij qyteti të gurtë, që nga periudha e sundimit osman. Babai i Gramozit, Eqerem Omari, kishte studiuar dhe ishte diplomuar në fillim të viteve ‘30-të, për Inxhinieri Agronomike, në Grenoble të Francës. I papërzier asnjëherë me politikën, si në periudhën e Monarkisë së Zogut, ashtu dhe pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai do t’i kushtohej vetëm profesionit të tij, si teknolog mielli, ku shquhej dhe konsiderohej si një ndër specialistët më të mirë të vendit. Gramozi ishte fëmija i tretë i Eqerem Omarit, pas dy vëllezërve, Beqirit, dhe Xhemilit.

Pak muaj pas mbarimit të luftës, Eqeremi thirret në Tiranë në një takim nga Enver Hoxha, i cili i propozon një funksion të lartë shtetëror, por ai ia refuzon edhe pse bëhej fjalë për një post me rëndësi, në hierarkinë më të lartë komuniste të kohës. Dhe kjo sepse Hoxha, e njihte mirë Eqeremin edhe si gjirokastrit, por edhe si të afërm të kunatit të tij, Bahri Omarit, i cili s’kishte shumë kohë, që ishte dënuar me vdekje, nga Gjyqi Special dhe ishte ekzekutuar. Duke njohur mirë qëllimet e Enver Hoxhës, që pasi ishte pushk.atuar Bahriun, ai joshte Eqeremin, për të përçarë fisin e Omarëve, e për të tërhequr ndonjë prej tyre në krahun e pushtetit komunist, duke justifikuar kështu në një farë mënyre edhe pushk.atimin e Abaz Omarit, kushëririt të Eqeremit, që ishte njëkohësisht dhe nipi i Enver Hoxhës. Ndonëse Eqeremi refuzoi vendin e punës së ofruar nga Enveri, ai filloi një punë tjetër, tashmë si Komisar i Lartë i Ndihmave të “UNRRA”-s, në qytetin e Durrësit.

Në rrugën “Siri Kodra” ku u vendos familja Omari, Gramozi që në vogli do të shquhej për prirjet e tij për muzikën, mes moshatarëve që luanin gjithë kohën së bashku, si: Besim Zekthi, Skënder Sallaku, Skënder Plasari, Enver Dauti, Agim Krajka, etj, të cilët vite më vonë, do të bëheshin dhe do të shquheshin si aktorë, artistë dhe muzikantët më të mirë të vendit. Që në moshën 15 vjeçare Gramozi, do të bëhej i njohur në Tiranë dhe jashtë saj, si një nga virtuozët më të mëdhenj, të fizarm.onikës, ku së bashku me shokun e tij të ngushtë Agim Krajkën, do të bëheshin instrumentistët më të kërkuar, në të gjithë orkestrat e vendit si te: “Dajti”, “Internacionali”, “Bar-Sahati”, “Adriatiku” në Durrës, etj. Duke parë famën që morën Omari me Krajkën, Ministria e Punëve të Brendshme, që në atë kohë ishte e gjithëpushtetshme, i thërret ata të dy dhe themelon Estradën e Kufirit, ku nga të gjithë artistët, vetëm Omari me Krajkën, do të paguheshin me rrogë si profesionistë. Falë orkestrantve virtuozë e aktorëve të njohur si Enver Dauti, që grumbulloi atëherë Estrada e Kufirit, ajo do të bëhej shumë e njohur e do të merrte një famë në të gjithë vendin.

Diplomimi në Fakultetin e Mjekësisë dhe arratisja në Jugosllavi

Pas disa vitesh punë në Estradën e Kufirit, Gramozi, arrin dhe përfundon gjimnazin në shkollën e natës dhe në vitin 1958, falë emrit të madh që kishte, atij i akordohet e drejta e studimit, për në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku do të diplomohej dhe i vëllai më i madh, Xhemili. Pa u shkëputur asnjë herë nga pasioni i tij për muzikën, Gramozi, diplomohet për Mjekësi në vitin 1962. Pak kohë pas diplomimit, në shtator të atij viti, Ministria e Punëve të Brendshme, për ta pasur kuadër të sajin, e gradon oficer me gradën toger dhe e mban në dispozicion, duke e caktuar në Tiranë, në një kurs specializimi për kirurgji, pranë Spitalit Qendror të Ushtrisë. Në atë kohë, babai i Gramozit, Eqeremi, ndërsa punonte në Tiranë, në ministrinë e Bujqësisë, si një ndër specialistët më të mirë të prodhimit të fabrikave të bukës, pushohet nga puna.

Preteksti i pushimit ishte sikur ai kishte marrë një pension mujor invaliditeti, më tepër seç i takonte, meqenëse ai ishte i sëmurë dhe punonte katër orë, kurse katër orë të tjera, paguhej nga Sigurimet Shoqërore. Arsyeja e vërtetë e pushimit nga puna, ishte lufta e klasave e cila në atë periudhë ishte tepër e acaruar, pasi në vend po ktheheshin kuadrot që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe po largoheshin nga puna, të gjithë ata që kishin studiuar në vendet perëndimore, (në periudhën e Monarkisë dhe atë të pushtimit të vendit), të cilët shiheshin si njerëz të dyshimtë për regjimin komunist. Pas pushimit nga puna të babait edhe Gramozi, transferohet nga Tirana për në Shkodër, ku caktohet si mjek ushtarak pranë postës kufitare të Vermoshit, në skajin më verior të vendit. Pak ditë pasi Gramozi kishte shkuar në vendin e ri të punës, tepër i dëshpëruar nga problemi i babait dhe largimi nga Tirana, ku kishte lënë shokët, miqtë, të afërmit, e familjen dhe mbi të gjitha fizarm.onika e orkestrat ku ai ishte bërë mjaft i njohur, ai vendos të largohet nga Shqipëria, duke u arratisur për në Jugosllavi.

Gjë e cila në ato kushte ku ishte ai, nuk ishte shumë e vështirë për t’u realizuar. Vendimin për tu arratisur, Gramozi, duhet ta ketë marrë në një gjendje tepër të dëshpëruar dhe nga një presion i madh psikologjik, nga ambienti në të cilin ai u ndodh. Nuk përjashtohej mundësia e ndonjë arrestimi të të atit, Eqeremit, ose dhe atij vetë, nga pozita politike që kishte familja Omari, duke pasur dy të pushk.atuar nga familja dhe disa të tjerë të arratisur në SHBA. Sipas dëshmive të vëllait të tij, Beqirit, ideja për tu arratisur nga Shqipëria, Gramozit, duhet t’i ketë lindur kur ai mbërriti në postën e Vermoshit, sepse ai gjatë atyre viteve që punonte në Estradën e Kufirit, me dhjetëra herë kishte dhënë shfaqje të ndryshme, gati në të gjitha postat kufitare, por nuk kishte tentuar kurrë një gjë të tillë. “Gramozi nuk e kishte menduar kurrë arratisjen, ndonëse shpesh herë turistë të huaj në hotel “Dajti” e “Adriatiku” në Durrës, të mahnitur nga virtuoziteti i tij në fizarm.onikë, e kishin joshur atë, me premtime të ndryshme, duke i bërë të ditur se nëse ai do të ishte jashtë në vendet e tyre, do kishte një famë të madhe dhe do të ishte tepër i pasur”, kujtonte i vëllai, Beqiri. Ndërsa dy nga kolegët dhe miqtë e tij të ngushtë të Gramozit, aktorët e mëdhenj Skënder Sallaku, e Skënder Plasari, midis të tjerash kanë dëshmuar: “Shpesh në shfaqjet e shumta, që kemi dhënë në postat kufitare, në kohën e lire, disa herë bashkë me Gramozin, të tre, afroheshim deri në buzë të kufirit, ku fare lehtë mund të dilje matanë, pa të hyrë gjemb në këmbë, por po ashtu siç kishim shkuar aty pa asnjë paramendim, ktheheshim përsëri në brendësi të territorit shqiptar. Kështu që, Gramozi, po të kishte dashur, do të ishte arratisur dhe nuk do të priste ta caktonin një ditë si mjek ushtarak, në postën e Vermoshit”.

Toger Gramoz Omari, 5 vjet në Jugosllavi

Vetëm tre ditë pasi Gramozi kishte shkuar në postën kufitare verore të Vermoshit, akoma pa marrë detyrën në dorëzim, në datën 6 shtator të vitit 1963, në orën 8. 30 të mëngjesit, ai kalon kufirin dhe shkel në tokën jugosllave, ku gjendet nën breshërinë e automatikëve të rojeve jugosllave të kufirit, të cilët, duke parë mosreagimin e tij, pushojnë zjarrin e arm.ëve dhe e kapin menjëherë, duke e shoqëruar për në postën e tyre të kufirit. Pas procedurave dhe pyetjeve të zakonshme që u bëheshin shkelësve të kufirit, Gramozi merret dhe shoqërohet nga dy oficerë të “UDB”-së, duke u dërguar në një kamp të vogël në Ivangrad. Të nesërmen, nën shoqërinë e dy ushtarakëve, Gramozi dërgohet në qytetin e Titogradit, ku e sistemojnë në hotel “Cerna Gora”.

Një ditë më pas, e marrin dhe ai shoqërohet përsëri për në kampin e “Leskopoljes”, jo shumë larg kryeqytetit. Ai kamp, shërbente si vend-qëndrim disaditor, për të arratisurit, të cilët asokohe nuk ishin të pakët dhe kryesisht nga zona e Shkodrës dhe Malësia e saj. Pas shtatë ditësh, një oficer i “UDB”-së, i quajtur Aco Mursoloviç, e mori në pyetje Gramozin, duke insistuar të dinte se çfarë lidhje kishte ai me Luan Omarin, djalin e motrës së Enver Hoxhës dhe sa ishte prania numerike e këshilltarëve kinezë në Shqipëri, etj. Pas tre muaj hetimesh, Gramozi lihet i lirë, pasi ua kishte bërë të ditur se: qëllimi i tij, nuk ishte të rrinte në Jugosllavi, por të shkonte në SHBA, ku kishte disa të afërm të tij. Pas largimit nga kampi, Gramozi, vendoset në qytetin e Nikshiqit, ku fillon punë menjëherë si muzikant në hotelin “Onegoshti”. Pas tre muajsh në këtë hotel, ai fillon punë si mjek në spitalin e Nikshiqit, i ndihmuar nga dy vëllezër shqiptarë nga Shkodra, por duke mos pasur me vete diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, ai nuk mund të punonte shumë në atë spital.

Kështu që ai largohet në qytete të tjera të Jugosllavisë, si në Sarajevë, Zadar, Zagreb, dhe Maribor, duke punuar në hotele të ndryshme si muzikant, por hera herës edhe nëpër spitale si mjek. Në muajin shtator të vitit 1966, pasi kishte punuar në shoqëri të ndryshme muzikore me emër, Gramozi fillon punë si mësues muzike, në një shkollë të mesme të Splitit, ku punoi për një vit. Gjatë kësaj kohe që ishte mësues, ai natën punonte në orkestrën e hotelit “Marjan”, të këtij qyteti, i cili frekuentohej nga turistë të shumtë vendas dhe të huaj, kryesisht nga Gjermania Perendimore. Viti 1968-të, do të ishte dhe viti i fundit i Gramozit në Jugosllavi, periudhë në të cilën ai e shpeshtoi korrespondencën e tij, me të afërmit që ndodheshin që nga koha e Monarkisë së Zogut, si emigrant ekonomikë në SHBA dhe Turqi. Kështu në një letër që i dërgonte hallës së tij në Turqi, midis të tjerash ai i shkruante, “Këtu me mua, banon një shok i ri, i cili ka ardhur tani, e quhet Tonin Prosi. Ky ka bërë në Shqipëri 10 vite burg. U gëzova shumë për atë që shpëtoi njëherë e mirë nga regjimi komunist”. Në qershor të 1968-ës, Gramozi shkon në Maribor të Sllovenisë, pranë konsullatës amerikane, ku paraqet dokumentat për të emigruar në SHBA, si emigrant politik. Vetë konsulli amerikan, i premtoi vizën për në SHBA, sa të vinte garancia nga të afërmit e tij nga SHBA-ja. Gjatë kësaj kohe, në pritje të ardhjes së garancisë, ai shkoi në Itali, ku punoi si firzamoniçist në disa lokale dhe hotele të njohura të gadishullit Apenin. Sipas dëshmive të vëllait, Beqir Omarit, ajo punë dhe virtuoziteti i Gramozit, në instrumentin e firzamonikës, i bëri përshtypje një nga mjeshtërve më të mëdhenj të Italisë, me emrin Mario, i cili i premtoi Gramozit, se do t’i nxirrte lejen e qëndrimit dhe të punësimit për në Itali.

Viktimë e marrëveshjes së fshehtë midis UDB dhe Sigurimit të Shtetit

Më 30 korrik të vitit 1968, ndërsa Gramozi punonte në orkestrën e klubit “Novaçkiroke”, në pritje të garancisë nga SHBA-ja, shkon në dhomën e tij, një oficer i UDB-së, dhe i thotë që të paraqitej në zyrën e tij, pasi ai merrej me problemet e emigrantëve. Në atë zyrë, Gramozin e prisnin dy policë të Ministrisë së Brendshme, të cilët i thane: “Do vish me ne, pasi na kërkojnë autoritetet në Titograd për një sqarim”. Pa pasur asnjë hije dyshimi, Gramozi iu bind menjëherë urdhrit të tyre dhe ata u nisën drejt Titogradit, duke udhëtuar me tren dhe sa mbërritën aty e dërguan në burgun e qytetit, ku ai kaloi atë natë në një dhomë i vetëm. Të nesërmen në ora 8 të mëngjesit e hipën në një “Xhip” të zi të mbuluar dhe e nisën për në Hanin e Hotit.

Po në datën 31 korrik, ndërsa Gramoz Omari i futur në makinën e UDB-së, udhëtonte pa dëshirën e tij, drejt kufirit shqiptar, vetëm 46 km. larg Tiranës, pikërisht në qytetin e vogël të Laçit, në sarajet e ish-gjeneralit Preng Pervizi, (Komandant i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në periudhën e pushtimit gjerman), e cila tashmë përdorej nga Sigurimi i Shtetit, si “Qendër Izolimi dhe Filtrimi për emigrantët kosovarë”, dy shqiptarë të Kosovës, po përgatiteshin që të linin qelitë e tyre, për t’u shkëmbyer në kufi. Të transportuar me një “Gaz” 69, të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Shkodrës, ata do të udhëtonin drejt Hanit të Hotit, ku sipas marrëveshjes ndërmjet UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit Shqiptar, do të shkëmbeheshin me Gramoz Omarin. Pas procedurave dhe formaliteteve të nevojshme, automjeti “Gaz” ku u “sistemua” ish-oficeri i kufirit Gramoz Omari, mori rrugën drejt qytetit të Shkodrës dhe ndaloi në oborrin e Degës së Brendshme, ku eprorët e saj, kishin urdhëruar që asnjë efektiv të mos qëndronte në oborr dhe as në korridoret e saj. Që atë ditë, ndaj Gramoz Omarit filloi procesi hetimor, ku krahas atyre të Shkodrës, kishin ardhur edhe një grup oficerësh dhe hetuesish nga Tirana

Gjyqi Ushtarak në Shkodër: Omari dënohet me vdekje

Pas tre muajsh procesi hetimor, Gramoz Omari, doli para gjyqit më 11 nëntor të atij viti, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Shkodrës dhe prokurori Njazi Zjarri, dha vendimin ndaj tij, duke e dënuar me vdekje, me pushk.atim, duke e akuzuar: “për tradhti të lartë ndaj atdheut”, “nxjerrje sekreti ushtarak”. etj. Ndërsa Omari, kishte katër muaj që ishte dorëzuar nga autoritetet jugosllave në Shqipëri dhe kishte dalë në gjyq, ku dhe ju komunikua vendimi me dënimin kapital, familja e tij në Tiranë nuk kishte asnjë dijeni, lidhur me këtë, pasi ata nuk ishin njoftuar nga organet kompetente. Familja Omari e mori vesh, “kthimin e tij” rastësisht, kur një i afërm i tyre, kishte parë të afishuar pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë, datën e shqyrtimit të kërkesës për faljen e jetës së Gramozit. Tre ditë para Vitit të Ri 1968, vëllai i madh i Gramozit, Beqiri, që asokohe punonte si muzikant në Estradën e Shtetit në Tiranë, futet fshehurazi nga dritaret në një nga pavijonet e Spitalit nr. 1 në Tiranë, (pavijon i rezervuar për familjarët e udhëheqjes së lartë të PPSH-së), ku ishte shtruar Fahrije Omari, motra e Enver Hoxhës dhe njëkohësisht e veja e Bahri Omarit.

Sipas dëshmive të Beqirit, ai i tregoi asaj për vendimin e organeve të larta të shtetit, për pushk.atimin e vëllait të tij, Gramozit, duke i’a theksuar disa here, se këtë gjë, pra atë vendim, mund ta kthente vetëm, vëllai i saj, Enver Hoxha. Fahrija, me shumë keqardhje i drejtohet Beqirit: “Unë nuk i them dot Enverit, se e di që ai nuk më dëgjon. Ai nuk ka mëshirë më për asnjë njeri, pasi më pushk.atoi mua burrin dhe nuk ma fali”. Pas fjalëve të Fahrijes, Beqiri e kuptoi se ishte e kotë çdo gjë dhe u largua. Po atë ditë, babai i Beqirit dhe Gramozit, Eqeremi, takoi SkënderTopullin, mjekun e njohur stomatolog, me origjinë nga Gjirokastra, që ishte dhe mik i ngushtë i tij dhe njëkohësisht, mik i ngushtë i diktatorit Enver Hoxha. Skënderi nuk hezitoi dhe i premtoi shokut të tij të fëmijërisë, se që atë ditë do tentonte ta takonte Enver Hoxhën, dhe do t’ja thoshte fjalët e tij. Dr. Skënder Topulli, ishte një nga të paktët, për të mos thënë i vetmi, që mund të shkonte tek Enveri, pa procedurat e zakonshme, të cilave iu nënshtroheshin edhe anëtarët e Byrosë Politike, e ministrat gjithashtu. Sipas dëshmive të Beqir Omarit, Dr. Topulli shkoi që atë ditë në vilën e Enver Hoxhës dhe që në fillim, i tregoi arsyen se pse kishte shkuar, duke i thënë në formë lutje: “Falja jetën atij djalit të vogël të Eqeremit, pasi është shumë i ri, vetëm 40 vjeç”.

Hoxha, pa shprehur asnjë lloj habie, (gjë që tregonte se ai ishte në brendësi të çështjes), duke i zgjatur paketën e cigareve mikut të tij të ngushtë, që nga koha e fëmijërisë, iu përgjigj: “Doktor Skënderi, më mirë të pushk.atohet, sesa të bëjë 25 vjet burg”. Pas këtyre fjalëve, Dr. Topulli e kuptoi se duhet të ndërronte bisedë me të, aq më shumë, se ishte hera e parë që Enveri nuk i drejtohej direkt me emër, por: Doktor Skënderi?! Dy ditë pas Vitit të Ri 1968, vëllai i tij Beqiri, udhëtoi drejt qytetit të Shkodrës dhe shkoi në Degën e Punëve të Brendshme, duke u paraqitur te sporteli i oficerit të rojës, ku dorëzon dy paketa me cigare dhe 500 lekë të vjetra, për vëllanë e tij, Gramozin. Por ndërsa Beqiri po priste që polici i shërbimit t’i shënonte ato, në fletoren përkatëse, ai i thotë, “Është vënë në zbatim, vendimi i Kuvendit Popullor”. Dhe fatkeqësisht ashtu kishte ndodhur, pasi dy ditë më parë, natën e 31 dhjetorit 1968, një skuadër pushk.atimi e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, me automjetin që përdorej shpesh në ato raste, kishte ndaluar pranë një reparti ushtarak, diku te Zallit të Kirit, dhe kishte kryer “formalitetin me procedurën” që ia jepte ligji në fuqi. Gjë të cilën familja Omari, do ta mësonte vetëm pak ditë më vonë, kur ata takuan prokurorin, Njazi Zjarri, i cili me qetësinë më të madhe iu tha: “Po, unë isha prokuroi që dhashë dënimin me vdekje dhe mora pjesë në ekzekutimin e tij, pasi kjo është detyra ime”.

Pasojat e familjes Omari dhe trupi, ende i pa gjendur

Pak ditë pas ekzekutimit të Gramozit, vëllai i tij, Beqiri, pushohet nga puna në Estradën e Shtetit dhe bashkë me prindërit, internohet në fshatin Sheq-Marinzë të Fierit. Po kështu dhe vëllai tjetër, Xhemili, që ishte mjek në Elbasan, internohet po në fshatrat e këtij rrethi. Por për familjen Omari, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi pak ditë pas internimit, Beqiri, arrestohet dhe dënohet me 8 vite burg, për agjitacion dhe propaganda dhe ndërkohë që ai kryente dënimin, dy prindërit e tyre, vdiqën në mjerim të thellë, aty në barakën e tyre në internim. Pas viteve ’90-të, dy vëllezërit e Gramozit, Beqiri dhe Xhemili, vihen në kërkim të gjetjes së eshtrave të tij. Ata të dy, detyrojnë prokurorin Nj. Z., i cili u tregon vendin e ekzekutimit, por jo vendin e varrimit, i cili sipas tij, “nuk ishte kompetencë e tij”. Lidhur me këtë ngjarje, Eshref Kepa, nga Shkodra, midis të tjerash ka dëshmuar: “Ishin ditët e para të janarit të vitit 1969 dhe kisha shkuar te reparti në Zallin e Kirit, për të marrë letrën e zborit.

Gjatë kohës që oficeri i rojës po më plotësonte atë, aty afër zyrave në një breg zalli, po lehnin disa qenë rrugësh. Oficeri i rojës, duket se u bezdis nga zhurma e lehjes së qenve dhe e ndërpreu plotësimin e fletës së zborit, duke iu drejtuar disa ushtarëve që ishin aty, që t’i trembnin qentë dhe t’i largonin prej andej. Pastaj ai u ul përsëri në tavolinë, për të shkruar dhe m’u drejtua duke më thënë në mirëbesim: ‘Ata të Degës, para dy ditësh kanë pushk.atuar këtu, priftin e Velipojës dhe një mjek ushtarak, që ka kthyer UDB-ja’. Unë, pasi mora letrën e zborit, duke u larguar prej andej pashë aty ky ishin qentë, vetëm një kufo.më përmbys dhe e njoha nga xhaketa që ishte e priftit të Velipojës”. Dëshmia e Kepës përkon me dëshminë e një miku të vjetër të familjes Omari në Tiranë, që insiston se: “kufo.ma e Gramozit, atëherë pas pushk.atimit, na ka ardhur në morgun e Tiranës”, por dhe atje, ajo nuk konfirmohet zyrtarisht nga dokumentet arkivore të Ministrisë së Brendshme, ndonëse mjeku ngul këmbë në versionin e tij. Ndoshta është kështu, pasi 40-vjeçari, Gramoz Omari, do t’i shërbente Mjekësisë, jo vetëm për së gjalli. /Memorie.al

Scroll to Top