Stobi mahnitës, qyteti antik i Paionëve ilirë, që shumë pak e njohim

Qyteti i vjetër Stobi ishte një qytet antik i Paionëve, që më vonë u pushtua nga Maqedonasit antik, duke u bërë kryeqytet i provincës Maqedonia Salutaris, që sot gjendet në afërsi të komunës Gradsko në Maqedoninë e sotme.

Paionët ishin grup fisesh ilire që banonin në luginën e sipërme të Aksiosit (Vardari) dhe degëve të tij, duke u shtrirë në lindje deri te lugina e Strymonit (Struma) në kufi me fise trake, në perëndim deri tek dardanët, penestët dhe dasaretët e Ilirisë. Përmenden për herë të parë nga Homeri si aleatë të trojanëve kundër akejve. Në fillim të shek.V p.e.s. u pushtuan nga persët dhe dy fise të tyre me urdhër të Darit u shpërngulën në Azi. Demosteni thoshte për ta se “nuk janë mësuar të binden”.

Stobi antik konsiderohet si një ndër vendet më të famshme arkeologjike në Maqedoni. Në periudhën antike, konsiderohej si qendër e rëndësishme urbane, ushtarake, administrative, për tregti, si edhe qendër fetare romake dhe bizantine.

Gjatë periudhës së ekzistencës, ishte vend ku arritjet kulturore të periudhës antike mblidheshin në mënyrë unike në një vend.

Stobi u ndërtua në periudhën helene, para periudhës së sundimit të Filipit të II-të të Maqedonisë Antike, babait të Lekës së Madh. Edhe ky qytet ka qenë në rrugën e njohur antike ”Via Egnatia”.

Gjetjet arkeologjike tregojnë se Stobi antik kishte një strukturë arkeologjike, jetë të organizuar, që flet për një shoqëri të lartë urbane me zhvillim të lartë kulturor.

Besohet se fillimet e këtij qyteti janë rreth shekullit 7 dhe 6 para erës së re. Në antikitet Stobi përbëhej nga faltoret dhe teatri, kurse në periudhën e krishtere, Stobi u shndërrua në një qendër peshkopale, duke e ruajtur rëndësinë.

Stobi u shkatërrua shumë gjatë pushtimeve avaro-sllave, por goditje të fuqishme i dha edhe një tërmet që besohet se ka ndodhur në vitin 518 të erës së re.

Sot, mbetjet e këtij qyteti të famshëm arkeologjik janë mjaft tërheqëse për vizitorët, duke u bërë kështu një ndër destinacionet më popullore për turizmin në Maqedoni. Struktura e qytetit, mbetjet e mureve dhe monumentet e tjera të ruajtura, ia shtojnë bukurinë dhe e bëjnë tërheqës këtë qytet antik. / usalbanianmediagroup.com

Scroll to Top