Fatos Klosi hedh dritë për të shkuarën e errët të Belerit: Ka gisht te masakra e Peshkëpisë, si SHISH “blindoi” Himarën në vitin 2000
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka zbardhur detaje nga e shkuara e errët e Fredi Belerit.
Ai ka deklaruar se Fredi Beleri ka qenë pjesë e masakrës së Peshkëpisë, ndonëse ja ka hedhur paq drejtësisë. Klosi u shpreh se ka prova që tregojnë qartë se si u organizua krimi dhe kush janë përgjegjësit. Po ashtu ai ka treguar se si SHISH zbarkoi në Himarë në zgjedhjet e vitit 2000, vit kur Athina futi në lojë Vasil Bollanon.
“<em>Unë e di që Beleri ishte pjesë e masakrës së Peshkëpisë. Në Greqi u bë një gjyq sepse ndodhi një krim. Por megjithatë me një indulgjencë si për veprat e shqiptarëve. Por, Beleri ishte pjesë në atë masakër, me dy të vdekur dhe tre të plagosur. Beleri i shpëtoi dënimit në atë kohë.</em>
<em>Në zgjedhjet në Himarë në vitin 2000 kam qenë në shërbim dhe madje isha në Himarë. Ne ishim atje për të ndjekur situatën se nuk kishim kompetenca. Por në atë kohë atë që po ndodhte e quanin serioze, në atë kohë ata donin bashkinë, njësoj si këtë herë</em>”, u shpreh Klosi në emisionin “Shqip”.
Tentativa e parë e Greqisë për të kapur Himarën nisi në vitin 2000. Bëhet fjalë për zgjedhje shumë të kontestuara dhe që shkaktuan përplasje me Athinën. Në atë kohë kryeministër madje ka qenë vetë Ilir Meta. Athina futi kandidat Vasil Bollanon, i cili humbi përballë Viktor Matos. Bollano në atë kohë garonte po për logon e PBDNJ, njësoj si Fredi Beleri sot. PBDNJ kërkoi madje dhe ripërsëritje të zgjedhjeve në disa zona, por kjo nuk u pranua. Ashtu si sot, edhe në vitin 2000 Greqia nis sulmet e akuzat.
Fatos Klosi, u shpreh se Greqia e përdori “çështjen Beleri” tregues të qëndrimit ndaj Shqipërisë, përpara zgjedhjeve të tyre. Sipas tij, tani që mbaruan zgjedhjet nuk do ketë më zhvillime.
“<em>Të tilla ngjarje dhe ndodhi politike edhe pse ndodhin jashtë vendit shfrytëzohen për politikën e brendshme të vendit. Marrëdhëniet ndërkombëtare për shefat tanë janë të rëndësishme vetëm me SHBA-në, ndërsa grekët në prag të zgjedhjeve të tyre treguan se mbajtën një qëndrim me Shqipërinë.</em>
<em>Grekët donin t’i tregonin popullit përpara zgjedhjeve se kur shqiptarët gabojnë, ne nuk i falim. Dhe s’ka më për t’u bërë asgjë. Deklarata e Dendias me ministren tonë të Jashtme ishte shumë e përgjithshme</em>”, u shpreh Klosi.
Fredi Beleri u arrestua për blerje votash para zgjedhjeve të 14 majit. Greqi e bëri të madhe çështjen, ndërkohë që Beleri njihet për bëmat e tij antishqiptare.