Raporti i CIA-s hedh poshtë ‘patriotizmin’ e Berishës: Nuk e donte Kosovën e pavarur, loboi në Amerikë kundër

Në një dokument të deklasifikuar nga shërbimi sekret amerikan, konfirmohet se në vitin 1995, presidenti shqiptar asokohe, Sali Berisha ishte kundër thirrjeve për pavarësi të Kosovës. Në raportin e publikuar nga inteligjenca amerikane asokohet, theksohet se në prag fushate asokohe, Berisha ashpërsoi qëndrimet për çështjet etnike duke përdorur kartën nacionaliste për të mundur socialistët.

Në dokumentin e CIA-s, studiohen mundësitë për konflikte në Ballkan dhe në kapitullin ‘Potenciali i Tiranës për të ndikuar në rajon, politikani kryesor i mbajtur nën vzhëgim është Sali Berisha i cili si president i Shqipërisë në atë kohë takohej me diplomatë amerikanë të cilëve u deklarohej kundër pavarësisë së Kosovës.

“Berisha me shumë gjasa duke njohur pozicionin e dobët negociues të shqiptarëve etnikë – vazhdon të këmbëngulë që Rugova të heqë dorë nga kërkesat për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson se fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën të shmangë presionin nga liderët më aktivistë shqiptarë të Kosovës”- nënvizohet në raport.

Më tej është analizuar rreziku që Berisha mund të nxiste konfliktin në prag të fushatës me retorikën e tij politike.

“Një sfidë politike nga socialistët e Shqipërisë–ish-komunistë–në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta bëjë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër për çështjet rajonale etnike-shqiptare. Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të marrë mbështetje nga partitë e vogla të djathta”- vijohet në raport.

Ky dokument i takon dhjetorit të vitit 1995 dhe më pas Berisha i kërkoi Ibrahim Rugovës që t’i bashkohej protestës së opozitës serbe. Kjo mendohet të ketë qenë arsyeja përse Rugova i ndërpreu marrëdhëniet me Berishën për të mos i rivendosur më kurrë.

Një qëndrim të tillë për mos të shpallur pavarësinë e Kosovës, Berisha e tregoi edhe më vonë kur i kërkoi Thaçit që të mos firmoste marrëveshjen e Rambujesë ku edhe u hodh hapi i parë i shkëputjes së Kosovës nga Serbia. /Shqiptarja.com

Scroll to Top