VIDEO/ Ndikimi i figurës së Skënderbeut nga Shekspiri deri tek Bajroni
Rrugëtimi euridit i Skënderbeut në letërsinë angleze ishte në fokus të ligjërimit të profesorit, David Lucking të mbajtur sot në Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike, në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Si një mundësi e mirë për të pasqyruar këndvështrime dhe qëndrime të historianëve vendas e të huaj, në aktiviteti shkencor u prezantua figura e Skënderbeut ne letërsinë dhe kulturën botërore.
Profesori Lucking tha se Skënderbeu ka ndikuar edhe në disa drama të njohura ndërkombëtarisht si Otello. Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptarë, ai ndau edhe detaje të tjera për heroin tonë. ”Një poezi e një poeti irlandez flet për ndikimin që Skënderbeu ka patur në kulturën europiane, por edhe në autorë të ndryshëm, veçanërisht do të flas për letërsinë angleze. Kemi të dhëna që i referohen Spencerit, kemi referenca të mundshme nga Shekspiri, ndonëse Shekspiri në fakt nuk e ka përmendur Skënderbeun, por sipas këndvështrimit tim, dhe unë nuk jam i vetmi që besoj në teorinë se në disa mënyra Skënderbeu ka influencuar disa drama, ndoshta ”Otellon”, pasi ”Otello” është disi një version i përmbysur i Skënderbeut”.
David Lucking u shpreh se ,”gjithashtu, do të flas se si Skënderbeu shfaqet më vonë në drama të ndryshme të vëna në skenë në shekullin XVII, në fakt drama jo shumë të mira, pasi figura e Skënderbeut jepet e shtrembëruar, ai nuk paraqitet më si figurë heroike, i famshëm për taktikat e tij luftarake, por edhe aftësitë e tij fizike prej luftëtari, por në një farë mënyrë bëhet heroi i këtyre vendeve romantike me heroina romantike, të cilat nuk janë përfshirë në librin e Skënderbeut”,tha ai. Më pas, profesorit anglez renditi poezinë e Bajronit, duke thënë se Gjergj Kastrioti ishte i pranishëm në imagjinatën e publikut në shumë mënyra.”Kemi njerëz si Disraeli që ka shkruar një roman të dobët, i cili fillimisht bazohet në fakte dhe më pas vazhdon si romancë e pastër me elemente të forta romantike. Më pas shfaqet në poezinë e Bajronit, në ato pak vargje dedikuar Shqipërisë dhe Skënderbeut, të cilit i referohet Skënder.
Më pas shfaqet në letërsinë amerikane, kemi një sërë romanesh dhe poezinë nga Longfellow për shembull, cilët kanë shkruar për Skënderbeun. Ai është një figurë që ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm, i cili e ka transformuar vetveten në imagjinatën e publikut në mënyra të ndryshme”, u shpreh profesori Lucking. Në fund ai tha se, ”pikërisht për këtë po flas, për metamorfozat letrare. Në kohën e tij, apo dhe një shekull pas vdekjes, ai u trajtua seriozisht për atë që ishte si figurë historike, si mbrojtësi i Krishtërimit ndaj turqve dhe gjëra të tjera. Më vonë, figura e tij shndërrohet në diçka tjetër, në një farë mënyre karizma e figurës mbetet, por kjo karizmë përdoret për qëllime të tjera dhe ky është qëllimi i bisedës, mënyra se si Skënderbeu është përdorur nga figura të ndryshme letrare në mënyra të ndryshme”, përfundoi profesori David Lucking.
Konferenca është e ndarë në tre seksione dhe do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha. Gjithashtu do jepet “llogari” se çfarë është bërë në vitin e Skënderbeut. Të gjitha punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019. Në këtë drejtim, qeveria ka menduar që mungesat e mëdha që ka albanologjia të jenë një lloj baze për të ngritur sa më parë një kurs për të mundësuar formimin e të rinjve në gjuhët e vjetra, arkilistik dhe paelografi, duke i dhënë frymë dhe oksigjen albanologjisë, për të ndërtuar dhe për të lënë stafetat për brezat që do vijnë