Pas shum vitesh, Fatmir Mediu zbulon përse ndodhi shpërthimi në Gërdec!

Ish-ministri Fatmir Mediu ka treguar versionin që ka zbuluar Prokuroria për shkakun e shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.

Përmes një intervistë në emisionin “Open” në News 24, Mediu tha se “sipas Prokurorisë, ishte një karrocë që ishte këputur, u saldua, ishte e nxehtë, u vendos baruti mbi të dhe nga nxehtësia mori flakë baruti”.

Ai shtoi se Prokuroria vlerësoi se shpërthimi në Gërdec nuk ka lidhje me akuzat për “shpërdorim detyre” ndaj tij.

“Kemi dy organe drejtësie, një që ka dhënë një vendim përfundimtar dhe një që vepron në mënyrë të jashtëligjshme. Në një vend nuk veprohet sipas qejfit, por sipas ligjit. Fatmir Mediu ka qenë në Shqipëri dhe nuk është hetuar. Pas vitit 2013 nuk ka pasur imunitet Fatmir Mediu. Kush e pengoi Prokurorinë gjatë këtyre viteve? Pse hapet çështja pasi është parashtruar? Mediut dy herë Prokuroria i ka bërë hetim pasuror dhe nuk i kanë gjetur asnjë element të abuzimit financiar. Nëse një proces nuk është një proces i rregullt ligjor, atëherë edhe përfundimi nuk është ligjor.

Ligji për Prokurimet Publike e përjashton Ministrinë e Mbrojtjes. Ligji për çështjet e sigurisë nuk bëhet me ankand. Ministri i Financave ka qenë dakord me vendimin e Këshillit të Ministrave. Politikisht unë kam marrë përgjegjësinë time, kam dhënë dorëheqjen. Imuniteti nuk është çështje personale, por institucionale dhe kërkohet nga Prokuroria. Ministri i Mbrojtjes është autoritet civil, jep urdhra për demontim dhe si bëhet kjo nuk e bën ministri.

Gjykata dhe Prokurorët e SPAK kanë deklaruar se shpërthimi i Gërdecit nuk ka lidhje me akuzën për shpërdorim detyre. Unë dhashë dorëheqjen sepse ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme gjatë kohës që isha në detyrë, ku vdiqën njerëz të pafajshëm. Prandaj dhashë dorëheqjen. Shpërthimi sipas Prokurorisë ka ndodhur sepse një karrocë që ishte këputur, u saldua, erdhi, ishte e nxehtë, u vendos baruti dhe mori flakë baruti”, u shpreh Mediu.

Scroll to Top