ASTRITI, HEROI I JANARIT: HUMBI JETËN GJATË PASTRIMIT TË KANALEVE TË PËRMBYTURA NË DURRËS
Astrit Hysenaj, 54 vjeçari i cili u gjet i pajetë në një kanal kullues pranë ish-repartit ushtarak në Plepa, në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, është shpallur Heroi i muajit Janar.
54-vjeçari që punonte pranë ndërmarrjes komunale në plazh ishte shpallur i humbur nga familjarët më 6 janar pasi ishte larguar nga banesa dhe s’ishte kthyer më.
Pas disa ditësh kërkimesh, më 8 janar trupi i pajetë i Astrit Hysenajt u gjet në një kanal kullues pranë ish-repartit ushtarak ku dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura,
Familjarët e Astritit kanë mohuar deklaratën e kryebashkiakes Emirjana Sako se ai nuk ishte në punë ditën që u shpall i zhdukur, duke theksuar se ai ishte në detyrë, si çdo ditë tjetër, pavarësisht motit ekstrem.
Pamjet e kamerave kanë treguar Hysenajn duke pastruar kanalet me ujin deri në gju pranë mbikalimit të këmbësorëve në aksin Plepa–Durrës. Familjarët besojnë se rrjedha e ujit e mori nga aty dhe e nxori trupin aty ku u gjet më vonë. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për vdekjen e tij si dhe për shpërdorim detyre ndaj disa persona dhe vdekje nga pakujdesia.
