Skandal tronditës! Erzen Breçani përpinte miliona nga burgu – 50 mln € tendera, pastrim parash dhe skemë familjare
Në nëntor të vitit 2023, me kërkesë të SPAK u arrestua ish-drejtuesi i Policisë Tiranë, Erzen Breçani, në kuadër të dosjes Metamorfoza 2, ku në kërkim u shpallën edhe djali i tij Eralbi Breçani si dhe Ervin Mata për trafik ndërkombëtar kokaine, grup kriminal, pastrim parash dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje. Breçani, i cili sapo Sali Berisha humbi zgjedhjet në 2013 bëri thirrje për përmbysjen e Edi Ramës, pretendoi se i rrezikohej jeta në qeli dhe se vuante nga klaustrofobia. Në muajin shkurt 2024, ish-zyrtari i lartë i policisë u dërgua në spitalin e burgut pasi deklaroi se kishte frikë nga ambientet e mbyllura.
I akuzuar për pastrim parash, Erzen Breçani u lirua nga qelia në korrik të vitit 2024, duke u lënë në arrest shtëpie. Krahas mbështetjes ndaj Sali Berishës, daljeve si opinionist në TV dhe pastrimit të parave të drogës, Erzen Breçani kishte dhe ka futur dorën në buxhetin e shtetit, përmes kompanisë BREÇANI R.O.S.P., kamufluar në emrin e vëllait Fatbardh Breçani.

Kompania e sigurisë fizike BREÇANI R.O.S.P., themeluar në prill 2005, ka si administrator dhe pronar Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit. Për shkak të lidhjeve politike dhe klienteliste, ka dyshime të forta se pronari real i kompanisë është Erzen Breçani, ndërsa i vëllai pronar në letra dhe maskë e tij.

Nga viti 2013 deri më sot, kompania e Breçanit ka marrë mbi 50 milionë euro para publike, përmes tenderave të dyshimtë dhe të paracaktuara, kryesisht në bashkëpunim me kompaninë e Safet Gjicit, kamufluar gjithashtu përmes vëllait. Në 19 janar 2026, Breçani ka marrë tenderin e funsit nga Ujësjellësi i Tiranës me vlerë rreth 2.2 milionë euro, me ofertë fituese gati sa fondi limit, me pazar në tavolinë dhe në formë të dyshuar korruptive.

Gjatë kohës kur Erzen Breçani ishte në burg dhe më pas në arrest shtëpie, në llogarinë e kompnisë së tij kanë kaluar miliona euro para publike, në zbatim të kontratave të dyshuara korruptive me disa institucione publike. Një tjetër tender me vlerë 700 mijë euro, gjithnjë me pazar në tavolinë, e ka marrë nga UKT tre ditë para se të arrestohej nga SPAK për pastrim parash.

Përmes kompanisë BREÇANI R.O.S.P., Erzen Breçani kontrollon dhe ka në pronësi HEC Drita Energy, mbi lumin e Gashit, dega e lumit Valbonë. Hidrocentralin e ka ndërtuar në vitin 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Administrator i hidrocentralit është Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit.

Eralbi Breçani është kunati i Ervin Matës, i konsideruar si një nga bosët më të mëdhenj shqiptarë të kokainës. Që të dy janë shpallur në kërkim nga SPAK-u si pjesë e grupit kriminal, i cili dyshohet se drejtohej nga Ervin Mata.
Dosja e SPAK tregon se paratë kokainës së Ervin Metës dhe Eralbi Breçanit janë investuar në hidrocentralin e Erzen Breçanit, me administrator pikërisht djalin e tij Eralbi Breçani. Vetëm në një rast palët flasin për t’i kaluar Erzen Breçanit 500 mijë euro përmes llogarisë së këngëtares Elvana Gjata. Nga ana tjetër, Erzen Breçani shfaqet si mentor dhe këshilltar i djalit të tij në trafikun e kokainës.
Ndërkaq, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, me vendim Nr. 9, datë 21 dhjetor 2021, i ka hapur rrugë shitjes së prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Drita Energy” tek OSHEE-s me negocim direkt pa garë nëpërmjet KESH-it, vlera vjetore e së cilës arrin në 6 milionë euro.
Erzen Breçani është lejuar të zaptojë dhe 1.3 hektarë sipërfaqe park kombëtar, me tepër se harta e projektit të HEC-it, ku ishte bërë gati të ndërtonte një agro-resort.
Paratë publike janë bashkuar me para kokaine, duke u investuar në pasuri të paluajtshme. SPAK ka idetifikuar disa pasuri, produkt i aktivitetit kriminal, për të cilat ka kërkuar që të sekuestrohen. Me pasurive përfshihen edhe hidrocentrali, Drita Energy, i cili është sekustruar me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO.

Me gjithë këto përfitime nga pushteti aktual nuk dihet nëse Erzen Breçani është penduar për thirrjen që bëri në korrik 2013, për të përmbysur Edi Ramën nga pushteti, dy javë pasi Berisha kishte humbur zgjedhjet.
“Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve, doktor Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistëve me në krye Edvin Ramën, ta largojmë këtë Enver të dytë. Ne që dikur studentë të ‘91 shembëm diktaturën enveriste, do gjejmë forcë dhe optimizëm, do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët,” shkruante Breçani.
Por, edhe sikur Berisha të kishte qenë në pushtet gjatë 13 viteve të fundit, vështirë që kompania e Breçanit do të kishte përfituar kaq shumë para dhe pasuri publike. /Prapaskena
