Edi Rama dhe Sali Berisha, dy anë të së njëjtës medalje!
Fjalimi nervoz i kryeministrit pas protestës së PD-së nuk synoi përballjen politike, por dërgimin e një mesazhi presioni ndaj SPAK-ut, në një simbiozë të vjetër pushteti me Berishën…
Reagimi i ashpër i Edi Ramës pas protestës me molotovë dhe fishekzjarre nuk prodhoi asnjë akt politik konkret ndaj PD-së, por shërbeu si sinjal intimidues ndaj SPAK-ut. Analiza e sjelljes së tij, krahasuar me praktikat e Sali Berishës ndër vite, tregon se të dy përfaqësojnë të njëjtën filozofi sundimi, eliminimi të rivalëve dhe ndarjeje të pushtetit politik, ekonomik dhe institucional. Rivaliteti publik mes tyre i forcon të dy, ndërsa simbioza e fshehtë mban peng tranzicionin politik dhe drejtësinë në Shqipëri.
Deklarata e ashpër e Edi Ramës pas protestës së PD-së me molotovë dhe fishekzjarre u komentua si një qëndrim politik i mazhorancës.
Në të vërtetë, nuk kishte asnjë qëndrim politik ndaj PD-së, pasi politika shoqërohet me akte konkrete, të cilat mund të jenë ligje, vendime apo edhe denoncime në prokurori për atë çfarë ndodhi.
E gjithë ajo gjuhë e koduar e Edi Ramës, që me ato fjalë vetëm e forcon dhe e blindon Sali Berishën në sytë e mbështetësve të tij si “qëndrestar”, ishte e drejtuar kundër SPAK-ut, njësoj si fjalimi në Parlament ku përdori emrin e familjes Trump, apo fjalimi i 21 janarit ku instrumentalizoi viktimat e asaj tragjedie.
Edi Rama, në politikën shqiptare, nuk përfaqëson asgjë, përveç se anën tjetër të medaljes së Shqipërisë postkomuniste, ku qëndron Sali Berisha.
Të dy janë, në mos vëllezër siamezë, atë e bir politikë në kuptimin e plotë, pasi përfaqësojnë të njëjtën filozofi mendimi dhe gjykimi për sundimin e politikës shqiptare.
Edi Rama ka zbatuar pothuajse pikë për pikë filozofinë dhe axhendën e Sali Berishës në politikën e tij.
Ai ka qenë makiavelist në aleanca, por nga ana tjetër ka eliminuar që në embrion çdo karrierë politike brenda Partisë, duke e lënë fushën përreth tij jo thjesht djerrë, por një shkretëtirë.
Njësoj siç bëri Sali Berisha me Gramoz Pashkon, mocionistët, Eduard Selamin e të tjerë, po njësoj ka vepruar edhe Edi Rama.
Sapo erdhi në krye të PS-së, Ben Blushin e rrëzoi dy vite më pas nga posti i kryetarit të grupit parlamentar. I vuri fre Pandeli Majkos dhe Rexhep Meidanit, e më pas mikloi Ilir Metën për ta shkatërruar politikisht.
Vijoi më tej me Arben Malajn, Kastriot Islamin dhe, pas vitit 2013, me Saimir Tahirin, Erion Veliajn, ndërsa po tenton edhe me Belinda Ballukun, ku duhet thënë se i ka ngecur ‘sharra në gozhdë’.
Logjika e Berishës dhe Ramës është e njëjtë: nuk kanë trashëgimtarë politikë, por vetëm regjentë. As në PD dhe as në PS nuk ekziston sot asnjë figurë që mund të shihet si pasardhës real.
Modelet e Lulzim Bashës dhe Erion Veliajt ngjajnë si dy pika uji, me ndryshimin se Veliaj po e vuan më rëndë, ngaqë luajti më fort se Basha.
Qenia si rivalë politikë vetëm e rrit çiftin Berisha– Rama, por nuk i bën ata domosdoshmërisht armiq. Përkundrazi, së bashku kanë realizuar marrëveshjet më traumatike për shtetin shqiptar, duke e kthyer atë në një republikë të kryeministrit dhe duke ndarë pushtetin ekonomik me një kastë oligarkie të përbashkët.
Logjikisht, të dy kanë interesa të ndara, njohje dhe kontekste politike e njerëzore që nuk përputhen, axhenda që përplasen dhe konflikte që mund të shpërthejnë.
Megjithatë, në një moment të mëvonshëm, kur asnjëri prej tyre nuk do të jetë më dhe historia do të gjykohet ftohtë, do të shihet se rrugët e tyre janë thjesht ugare që çojnë në të njëjtin çiflik, të cilin e kanë ndarë së bashku, si pushtetin politik, ashtu edhe atë të drejtësisë dhe ekonomisë.
Edhe në trupat e vettingut apo në drejtësinë e re, vërehet një ndarje pothuajse perfekte mes njerëzve të Saliut dhe njerëzve të Edit.
Flitet për klane të brendshme, herë si të Argitës, herë të Olsit apo lobe të tjera, por në fund ekziston një hapësirë ku, si fëmijët që ndajnë mollët e vjelura, gjithçka ruan një simetri të qartë.
Një simetri që përbën realitetin e pandryshuar që mban peng vendin, por që ka kushtëzuar edhe jetën politike të këtij çifti.
Ikja e Berishës do të ishte një efekt domino për Edi Ramën. Këtë e dëshmon fakti se menjëherë pasi Sali Berisha u shpall “non grata”, SHBA i kërkoi Edi Ramës të përgatiste largimin.
Pikërisht për këtë arsye, kryeministri dhe sidomos enturazhi i tij mbështetën babain e tyre politik, duke dështuar planin amerikan, me ndihmën edhe të oligarkëve që financuan mbijetesën politike të Berishës.
Kush thotë se Sali Berisha mbijetoi përballë Amerikës për shkak të forcës së tij politike ose nuk e di realitetin, ose bën sikur nuk e di. Pa mbështetjen e Edi Ramës, i cili i dha edhe vulën në fund dhe realizoi marrëveshje të njëpasnjëshme që prej vitit 2021, sot Berisha nuk do të ishte politikisht aktiv.
Në të njëjtën kohë, edhe Edi Rama, pa këtë simbiozë, nuk do të ishte thjesht i rrethuar si sot nga SPAK-u dhe ndërkombëtarët, por i vrarë politikisht./Pamfleti
