counter create hit Rama tjetër qokë Gaz Demit, i jep 'Partizanit' 12.692 metra katrorë tokë shtetërore për 1 euro - Shqipet

Rama tjetër qokë Gaz Demit, i jep ‘Partizanit’ 12.692 metra katrorë tokë shtetërore për 1 euro

Pas kontratës në vitin 2016, Rama i fal tjetër pronë shtetërore shoqërisë “Partizani”

Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot një tjetër qokë shtetërore në favor të mikut të familjes, biznesmenit Gaz Demi, duke i dhënë me qira me tarifën simbolike 1 euro një pasuri të dytë ushtarake në Tiranë.

Me vendimin e ri të Këshillit të Ministrave, shoqëria “Partizani” sh.a., përfiton 12 692 metra katrorë të tjerë, në një sipërfaqe që përfshin ish-repartin ushtarak nr.6010, në rrugën “Myslym Keta”, aktualisht nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gaz Demi dhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, drejtojnë së bashku klubin “Partizani”, i cili rezulton përfitues i drejtpërdrejtë i kësaj pasurie shtetërore, pa garë dhe pa transparencë. Vendimi i sotëm është shtesë e kontratës ekzistuese të vitit 2016, kur qeveria Rama i dha “Partizanit” me 1 euro rreth 37 mijë metra katrorë në të njëjtën zonë.c

Në total, klubi Partizani ka përfituar mbi 50 mijë metra katrorë pronë shtetërore, e përdorur për ndërtim dhe zhvillime të tjera private.

Vendimi i qeverisë hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që asnjë informacion zyrtar nuk është dhënë për kriteret, procedurat apo qëllimin e qirasë, përveç faktit që është një “shtesë” për një marrëveshje të vjetër.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të krerëve I, pika 5, shkronja “e”, dhe V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

Në vendimin nr.183, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1.1. Dhënien e miratimit për lidhjen e shtesës së kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani”, sh.a., me NUIS K02322003T, si qiramarrës, për pasurinë e paluajtshme shtetërore nr.3/442 (prona nr.6, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”), me sipërfaqe të përgjithshme 12 692.94 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2, në zonën kadastrale 8110, me vendndodhje në Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas dokumentacionit të pronësisë, genplanit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.

2. Në pikën 2, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /Pamfleti

Scroll to Top