counter create hit Protestat dhe dhuna në Iran, Jasir Asani dhe futbollistë tjerë shqiptarë të bllokuar dhe pa telefona - Shqipet

Protestat dhe dhuna në Iran, Jasir Asani dhe futbollistë tjerë shqiptarë të bllokuar dhe pa telefona

Futbollistët shqiptarë Jasir Asani dhe Regi Lushkja po përballen me pasiguri në Iran, ku aktivizohen përkatësisht me Esteghlal dhe Traktor FC, ndërsa protestat dhe ndërprerja e gjerë e komunikimeve kanë paralizuar vendin, thanë burime pranë klubeve dhe mediave sportive, përcjell INA.

Përveç dy lojtarëve, në Iran ndodhet edhe Shpejtim Arifi nga Presheva, trajner i kampionit U15 dhe komentator sportiv në një emision televiziv. Të tre kanë munguar në rrjetet sociale prej më shumë se një jave, në një kohë kur autoritetet iraniane kanë bllokuar internetin dhe sinjalet e telefonisë celulare që nga nisja e protestave.

Ndërprerja e komunikimeve ka prekur edhe aktivitetin sportiv, me klubet vendase që kanë pezulluar publikimet online. Mungesa e informacionit ka ngritur shqetësime për sigurinë e sportistëve të huaj, ndërsa disa prej tyre raportohet se janë strehuar në ambasada ose konsullata.

Trajneri i Esteghlal, portugezi Ricardo Sá Pinto, njoftoi se është strehuar në ambasadën e Portugalisë në Teheran së bashku me stafin e tij teknik, duke konfirmuar përmes videove se është në gjendje të mirë shëndetësore.
“U detyrova të vij këtu pasi për një kohë të gjatë nuk kisha internet dhe as sinjal celular. Po presim të mësojmë çfarë do të ndodhë, por për momentin jemi mirë,” tha Sá Pinto.

Deri tani, nuk ka informacione zyrtare mbi gjendjen e sportistëve shqiptarë, ndërsa klubet e tyre dhe vetë futbollistët mbeten të paarritshëm për shkak të bllokadës së komunikimit. (INA)

Scroll to Top