FAKTET/ 1829, KUR PARLAMENTI GREK ZGJODHI MES SHQIPES DHE GREQISHTES, GJUHËN ZYRTARE TË VENDIT
ME ARBËRORËT E GREQISË (BELLUSCI, PJ. 5)
Gjuha arvanitase gjatë atyre viteve flitej në masë në Greqi dhe këtë na e vërteton regjistrimi që i bëra avokat Lljapis: “Unë jam avokat i arvanitasve dhe kam pasur punë sa për 10 avokatë grekë.
Arvanitasit vijnë tek unë sepse njoh gjuhën. Mua më pëlqen fjala ‘besë’. Unë jam avokat, por jam edhe arvanitas. Arvanitasi lidh besën, kështu që unë mbaj fjalën. I mbroj. Arvanitasi nuk flet në erë, por para se ta nxjerrë fjalën, e çon nëpër mend, pastaj e thotë dhe jo vetëm kaq, por kërkon me çdo kusht ta mbajë fjalën e dhënë”.¹⁷
Në shtëpinë e Jorgos Priftis Papanastasis, ndërsa regjistroj, e pyes:
– Kur këndonit në kishë shqip, zemra…
Pa mbaruar unë mirë fjalën, më përgjigjet:
– Zemra na hidhej përpjetë. Këtu edhe prifti këndonte shqip. Askush nuk fliste greqisht. Nuk njihej gjuha greke.¹⁸
E megjithatë, nuk u zyrtarizua gjuha shqipe, por vetëm gjuha greke. Mendoj dhe bashkohem me mendimin e vëllait tim arvanitas, Aristidh Kollja, kur thotë se problemi dhe përgjegjësia bie mbi vetë arvanitasit, sepse arvanitasve iu dha mundësia se cilën gjuhë të zgjidhnin, greqishten apo shqipen.
Historia dëshmon që shumë heronj shqiptarë të Greqisë ranë në luftë e shumë luftuan për çlirimin e Greqisë. Disa nga arbërorët e Greqisë, heronj të revolucionit të 1821-shit, ishin: Gjeorgjio Kundurioti, Kiço Xhavëlla, Andoni Kryeziu, Teodor (Bythgura) Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Dhimitir Vulgari, Kostandin Kanari, Gjeorgjio (Llalla) Karaiskaqi, Odise Andruço, Andrea Miauli, Teodor Griva, Dhimitir Plaputa, Nikolao Kryezoti, Athanasio Shkurtanioti, Hasan Bellusci, Tahir Abazi, Ago Myhyrdari, Sulejman Meto, Gjeko Bei, Myrto Çali, Ago Vasiari e shumë e shumë shqiptarë të tjerë.
Nga këta arvanitas dolën shumë nga heronjtë e vitit 1821 dhe krijuesit e shtetit të ri grek. Kjo e vërtetë, veçanërisht vitet e fundit, i është fshehur popullit grek për shumë arsye. Emri “arvanitas” në Greqi duhej të ishte titull nderi e jo të përfundonte pothuajse si term ofendues.
Si arbëresh që jam, pyes veten se si arritën arvanitasit, udhëheqës nga toka e deti, që kur në vitin 1829, në parlament u shtrua çështja se cila gjuhë do të zgjidhej si gjuhë zyrtare, mes shqipes dhe greqishtes, të zgjidhnin gjuhën greke, kur parlamenti përbëhej nga mbi 80% arvanitas!¹⁸
Në zyrat e Greqisë, nga ai moment do të shkruhej e flitej vetëm greqisht!
Ku ishte në ato momente ajo krenari shqiptare, arvanitase, kur njerëzit e thjeshtë këndonin:
- “Kjo gluha arbërishte,
- Ishte gluhë trimërishte
- E fllit Navarko Miaulli,
- Boçari dhe gjithë Suli.”
Vargje që i ngjajnë një proteste, një himni, një thirrjeje, por ishte tepër vonë.¹⁹
REFERENCA
¹⁷ Këtë dëshmi do ta gjeni në faqen 135, Ricerche e studi tra gli arbërori dell’Ellade.
¹⁸ Në librin Da radici arbëreshi in Italia a matrici arbërore in Grecia, faqe 362, “Angellokastros”.
¹⁹ Lidhja, artikulli “Dossier albanesi di Grecia”, faqe 207.
Shënim: Vargjet e mësipërme i regjistrova në vitin 1969, nga një arvanitas që quhej Pavlos Gjannakopoulos, 65 vjeç, lindur në Sofikò (Korinth), me profesion inxhinier, i cili m’u afrua vetë dhe nisi të recitonte me krenari.
Titulli: Rrugëtimi i një arbëreshi. Jeta, vepra, kujtime…
Autori: Antonio Bellusci
Bashkëbiseduese dhe recensuese: Ornela Radovicka
Redaktore: Elona Qose
Botuesi: Tiranë, Maluka
