Rrahje brutale në NBA – vëllai i serbit Jokić është “fëmijë i vogël” krahasuar me huliganin e Golden State (VIDEO)
Basketbollistët e Golden State Warriors fituan mbrëmë në fushën e tyre ndaj Milwaukee Bucks (120-113), por ndeshja në “Chase Center” mbeti në hije për shkak të një rrahjeje brutale që shpërtheu në tribuna.
Gjatë takimit ndodhi një përplasje e ashpër fizike mes tifozëve, ndërsa më agresivi ishte një simpatizant i veshur me fanellën e ekipit vendas. Në rrjetet sociale u përhap me shpejtësi një video nga incidenti, në të cilën shihet se si huligani i Warriors godet me një sërë grushtesh kundërshtarin, i cili mbrohet duke mbajtur duart mbi kokë. Mediat serbe vlerësuan menjëherë se edhe vëllai i Nikola Jokić, i cili është një gjigant i vërtetë dhe ka histori sjelljeje agresive në ndeshjet e NBA-së, është “fëmijë i vogël” krahasuar me tifozin e “luftëtarëve”.
Të pranishmit në tribuna u përpoqën të ndërhynin dhe t’i ndanin palët e përfshira në konflikt, por fillimisht pa sukses. Pas disa sekondash, disa persona arritën ta neutralizonin dhunuesin, pas së cilës reagoi edhe sigurimi dhe e nxori atë nga salla.
