Gruaja vdes nga çokollata që i dha fallxhorja, parashikonte se “do të vdiste së shpejti”
Hetuesit në Brazil janë të habitur nga historia e një gruaje të re që vdiq pasi hëngri një çokollatë që i dha lexuesja e pëllëmbës së dorës, pasi kishte parashikuar se “nuk i kishte mbetur shumë për të jetuar”.
“Ajo volli dhe shikimin e kishte të mjegulluar, e kishte trupin e butë … pas disa orësh vdiq,” tregonte kushërira e shtangur Bianca Cristina, për rrjetin vendas Globo 1 mbi vdekjen e parakohshme.
Tragjedia raportohet se ndodhi më 3 gusht kur 27 vjeçarja Fernanda Silva Valoz da Cruz Pinto, ishte duke ecur në qendër të qyteti brazilian Maceió, i cili njihet për parashikueset e shumta të fatit, shkruan rrjeti vendas Jam Press.
Nëna e një fëmije besohet se ishte ndaluar nga një grua e moshuar që ofroi t’i lexonte pëllëmbën e dorës.
Pinto kishte pranuar dhe atëherë lexuesja e fatit i kishte thënë të resë se “nuk i kishte mbajtur shumë për të jetuar”.
Fallxhorja më pas i kishte dhënë Pinto një copë çokollatë si dhuratë. “Ëmbëlsira ishte e paketuar, dhe ajo nuk mendonte se mund të ishte e rrezikshme”, thotë kushërira e saj Cristina për mediat. “Ajo kishte qenë e uritur dhe vendosi ta hante.”
Disa orë pasi e hëngri, raportohet se Pinto kishte nisur të ndjehej keq, me simptoma si të vjella, errësim shikimi.
E ndjera kishte përshkruar gjendjen e saj në mesazhe teksti të dërguara familjarëve pasi kishte konsumuar ëmbëlsirën.
“Më rreh zemra shpejt, volla, kam një shije të çuditshme në gojë, shumë e hidhur. Jam shumë e dobët”, shkruante Pinto.
Prej problemeve të mëparshme të gastritit të vajzës, familjarët fillimisht nuk dyshuan, por më pas nisën të mendonin për takimin e saj me fallxhoren.
“Më dhanë një çokollatë në qendër. E hëngra dhe më pas nisa të ndjehem keq. Nuk më shkoi mendja për keq, ishte një grua e vjetër”, kishte shkruar e ndjera mes të tjerash në mesazhe.
Dhe në fakt raportet e toksikologjisë një muaj më vonë tregonin se në trupin e të ndjerës kishte sasi të konsiderueshme pesticidi ‘sulfotep’ dhe ‘terbufos’.
“Këto substanca gjenden shpesh në rastet e helmimit në Brazil pasi gjenden relativisht lehtë, megjithëse duhet të jenë të kontrolluara nga ministria e bujqësisë”, tha Thalmanny Goulart, drejtor i laboratorit të toksikologjisë.
Për fat të keq ekzaminimiet nuk mund të konfirmonin se helmimi kishte ardhur nga ëmbëlsira që i ishte dhënë Pinto, shkruante Globo 1.
Policia ende nuk ka identifikuar fallxhporen me të cilën ishte takuar viktima.
Rasti i saj është regjistruar si “çështje për t’u zbardhur, në pritje të rezultateve shkencore.”
Pinto lë jetime vajzën e saj 9-vjecare me nevoja të veçanta.