Shkëlzeni dhe dhëndri në prag të burgut? Berisha sulmon prokuroren që po heton aferat e familjes: Po sillet si bandite!
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë sërish sinjale se dita kur djali dhe dhëndri i tij të përballen me akuza penale nuk do të jetë e largët. Ai ishte sot në një emision dhe sulmoi fort prokurorët e SPAK, veçanërisht prokuroren që po heton aferën me kompleksin “Partizani”, aty ku është zhytur dhëndri i Berishës Jamarbër Malltezi.
Berisha sulmoi fort prokuroren Enkeleda Millonai, e cila duket se ka qepur letrat dhe dosja mund të trondisë familjen e Berishës.
“Malltezi ka paditur Ballën për shpifje. Padi civile. Dosja ka shkuar në Gjykatën e Lartë. Sadushi e nxjerr si do vetë. Nuk diskutoj vendimin, por paditësi do ta çojë në Kushtetuese sepse është e drejta e tij. E imagjinon ti që ka SPAK-ista që prej 3 vitesh konfiskonjën dosjen për të mbrojtur Ballën, duke i mohuar qytetarit të drejtën themelore të procesit gjyqësor. I konfisojnë dosjen që mos ta çojë në Kushtetuese. Banditizëm të tillë ka vetëm në diktaturë. Kjo zonjë (Millonai) është në SKAP. Çfarë vlerësimi mund të ketë çdo qytetar, kur ajo është për të garantuar ligjin, përdor pozicionin duke dhunuar ligjin dhe i mohon qytetarit të drejtën e procesit gjyqësor”, tha ai.
Më tej Berisha justifikoi skandalin e privatizimit të kompleksit. Balla ishte ai që bëri padi dhe pretendohet se pronarët janë dëmshpërblyer në kohën e Italisë. Por Berisha pretendon të kundërtën.
“Jamarbër Malltezi nuk është thirrur kurrë në SPAK. Asnjëherë. Përkundrazi. Hetohet mbi bazën e një padie, një kallëzimi të Taulant Ballës, që në vend të dënohet për kallëzim të rremë. Ju e dini që ai doli para shqiptarëve me një dekret të Jakomonit dhe tha se ky dekret tregon se familjet që kanë pronat te kompleksi Partizani janë dëmshpërblyer nga Italia. Në një kohë kur ato familje renditeshin në atë dekret i kanë pronat të paktën 800 deri në 1000 metër nga kompleksi Partizani. Asnjë familje nuk figuron në atë listë”, tha ai.
Berisha u pyet dhe për skandalet e të birit. Shkëlzen Berish është thirrur në SPAK për aferën me Gërdecin. Berisha e nxori të larë të birin, duke deklaruar se e thirrën vetëm sepse është djali i tij.
“Po marrim Shkëlzen Berishën. Është thirrur dhe ta thërrasin 100 herë. E drejta për të hetuar duhet të jetë e drejtë e shenjtë. Pavarësisht se e përdorin për qëllime. E kanë thirrur dhe ka dhënë sqarime. Edhe 100 vite po ta hetojnë nuk do gjejnë kurrë lidhje të Shkëlzen Berishës me atë qe kanë thirrur. Ai është thirrur sepse është djali i Sali Berishës pse e kërkoi Rama”, tha ai.
Kjo është hera e dytë që Berisha sulmon SPAK kaq fort dhe prokuroren Millonai, duke dhënë sinjale se ka filluar të trembet. /Pamfleti