SHBA pritet të godasë oligarkët në Shqipëri? Në radar bizneset dhe “patericat” e pushtetit
Dy projektligje të Kongresit Amerikan, H.R.5274 dhe S.1909, e përfshijnë Shqipërinë në listën e vendeve ku politikat publike dyshohet se ndikohen nga financime kriminale dhe kapitale të dyshimta, duke ngritur alarmin për kapjen e shtetit dhe rrezikun ndaj sigurisë kombëtare dhe asaj të NATO-s.
Sipas dokumenteve dhe mesazheve që vijnë nga Uashingtoni, Shqipëria trajtohet si një vend ku vendimmarrja politike nuk buron nga vota e qytetarëve, por nga interesa financiare të lidhura me krimin e organizuar dhe oligarkë që kontrollojnë tendera publikë, porte, energjinë, licencat bregdetare dhe teknologjinë shtetërore. Çdo projekt me vlera të mëdha financiare dyshohet se kalon përmes një rrjeti të ngushtë biznesesh dhe ndërmjetësish, të cilët, sipas kritikëve, mbajnë në këmbë pushtetin politik.
Raporti amerikan kërkon verifikim të thelluar të pasurisë së kompanive dhe individëve që përfitojnë qindra miliona euro nga buxheti i shtetit, ndërkohë që në dokumentet zyrtare deklarojnë kapitale minimale. Sipas Uashingtonit, mungesa e transparencës mbi burimin e këtyre parave përbën rrezik serioz sigurie, pasi nuk dihet kush janë pronarët realë dhe cilat interesa fshihen pas investimeve strategjike.
Një tjetër fokus i hetimeve lidhet me pronat e ushtrisë dhe zonat strategjike, për të cilat pretendohet se kanë kaluar në kontroll privat përmes marrëveshjeve të dyshimta. SHBA kërkon garanci se këto pasuri nuk kanë përfunduar në duar të kapitaleve që cenojnë interesat e sigurisë së NATO-s, duke paralajmëruar audit të thelluar të institucioneve shqiptare.
Në këtë kontekst, pritet që SPAK të përqendrojë hetimet jo te rastet periferike, por te krimi i organizuar dhe bizneset e mëdha që dyshohet se financojnë politikën dhe ndikojnë drejtpërdrejt në qeverisje. Mesazhi nga Uashingtoni është se nuk do të ketë më tolerim për sponsorë politikë të lidhur me para të pista.
Në vëmendje të veçantë janë futur edhe të ashtuquajturit “middle man”, individë apo struktura që dyshohet se shpërndajnë tendera, krijojnë kompani fiktive dhe ndërmjetësojnë përqindje për të mbajtur në funksion skemën e financimit politik. Sipas burimeve, këta aktorë tashmë janë në radar të autoriteteve amerikane.
Sanksionet e mundshme përfshijnë bllokimin e llogarive bankare, ndalimin e aksesit në sistemin financiar ndërkombëtar dhe përjashtimin nga fondet publike. Një goditje e tillë, sipas analistëve, do të trondiste rëndë klimën e biznesit dhe do të vinte në pikëpyetje mbijetesën politike të kujtdo që ka mbështetur apo mbrojtur këtë sistem.
Sipas mesazhit të përcjellë nga Uashingtoni, procesi sapo ka nisur dhe synon të çmontojë zinxhirin që, prej vitesh, dyshohet se mban të kapur shtetin shqiptar.

