counter create hit Për të fituar mjafton të mos jesh ‘i djathtë’… si Albin Kurti në Prishtinë dhe Edi Rama në Tiranë! - Shqipet

Për të fituar mjafton të mos jesh ‘i djathtë’… si Albin Kurti në Prishtinë dhe Edi Rama në Tiranë!

Nga Aranit Muraçi/ Albin Kurtit i duhet dhënë ajo që i takon Albin Kurtit, merita e një lideri i cili e nisi nga zero dhe po i fiton zgjedhjet; me garë. Siç tregon edhe rezultati i fundit zyrtar, ashtu si në Shqipëri: pa kundërshtarë.

Gara e fundit vërtetoi atë që pritej; Partia Vetëvendosje e kahut të majtë, e udhëhequr nga Albin Kurti, siguroi një fitore akoma më të madhe e më bindëse në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit pas ngërçit politik 10-mujor që e pengoi të formonte qeverinë në shkurt.

Partia Vetëvendosje (LVV) e Kurtit fitoi afërsisht 50% të votave, gati 15 për qind më tepër se votat që mblodhën dy partitë e qendrës së djathtë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 21%, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me gati 14%, sipas të dhënave paraprake zyrtare të autoritetit shtetëror zgjedhor pas numërimit të pothuajse të gjitha fletëve të votimit.

Fitorja e fundit bindëse e Albin Kurtit nxjerr në pah një fakt interesant: E djathta nuk ekziston as në Kosovë dhe as në Shqipëri!

Rastësi?!

Prej 2013 në Shqipëri e majta e drejtuar nga Edi Rama erdhi me votë në pushtet dhe nga 2017 deri në zgjedhjet e 11 majit 2025, PS i ka fituar e vetme të gjitha zgjedhjet, si ato parlamentare ashtu edhe ato lokale. Arriti të fitonte këtë vit mandatin e saj të katërt radhazi përmes një rezultati akoma më bindës!

Nëse të “vetshpartalluarit” ose të vetshpallurit ‘të djathtë’ në Shqipëri fajësojnë komunizmin për disfatat e njëpasnjëshme, duke mos gjetur asnjë “njollë” në biografinë e tyre, ku janë ata në Kosovë?

Kosova nuk ka pasur të kaluar komuniste, ndryshe nga Shqipëria. Albin Kurti e nisi aktivitetin e tij politik nga zero, madje nuk i ka pasur edhe aq të lavdërueshme marrëdhëniet me Edi Ramën.

Albin Kurti në Kosovë nuk erdhi në pushtet me revolucion, por me votë. Nuk po e mban pushtetin me forcë. Por po fiton bindshëm sa herë që shkon në zgjedhje.

Partitë e majta të udhëhequra nga Albin Kurti në Prishtinë dhe Edi Rama në Tiranë, pavarësisht dallimeve të mëdha, po vërtetojnë në 10 vitet e fundit se kanë një emërues të përbashkët: rezultatin, fitoren.

Është kohë e artë për ‘analistët’ që janë të punësuar në “zbulimin e armiqve të popullit dhe të partisë” veçanërisht në Tiranë, që të përgjigjen:

Ku është e djathta në trojet shqiptare?

Çfarë përfaqëson ajo?

Kush e përfaqëson atë?

Apo… mos ndoshta “të djathtët” kanë dështuar në zbulimin ‘e armiqve të brendshëm’, për t’i dhënë shpjegim inekzistencës së tyre?

Scroll to Top