counter create hit Biblioteka Vatikane No. 7109, fleta 2: Cili ishte identiteti ynë fetar në periudhën paraosmane, katolike apo ortodokse?! - Shqipet

Biblioteka Vatikane No. 7109, fleta 2: Cili ishte identiteti ynë fetar në periudhën paraosmane, katolike apo ortodokse?!

Nga Prof.dr Jahja Drançolli, Pashtriku 29 mars 2022

Për dilemën e shfaqur me zë të lartë ditë më parë në një emision televiziv: Cili ishte identiteti ynë fetar në periudhën paraosmane, katolike apo ortodokse?! Çfarë thonë dokumentet papnore dhe dokumentet e tjera përkatëse?!

Papa Calixtus II (Kaliksti II) sipas bullës të tij të viteve 1119-1124, kishte konfirmuar se në fillim të shekullit XII Serbia nuk kishte formacion të pavarur kishtar. Së bashku me zotërimet e saj ajo ishte pjesë e Kryedioqezës Katolike Romane të Tivarit (Antivari-Antibari), e cila në atë kohë zotëronte edhe dioqezat e mëposhtme të ritit katolik roman:

  • – Diocletanensem (Dioklea),
  • – Antibarensem (Tivari),
  • – Buduensem (Budva),
  • – Scatarensem (Shati),
  • – Dulchinensem (Ulqin),
  • – Suvacinensem (Shasi),
  • – Scodrensem (Shkodra),
  • – Drivastinensem (Drishti),
  • – Polatinensem (Pulti),
  • – Serbiensem (Serbia),
  • – Bosoniensem (Bosnja) dhe
  • – Tribensem (Trabuni).

Ndërsa, Kisha e territorit të sotëm të Kosovës, në atë kohë ishte në juridiksionin e ipeshkvisë së Kishës Katolike Romane të Prizrenit, e cila pas shkatërrimit të Justiniana Secunda (Ulpiana), mori kompetencë juridike dhe titullare.

Në fakt, edhe pse Ipeshkvia e Prizrenit përmendet në dokumentet e perandorit bizantin, Bazili II (1019/1020), ka të dhëna indirekte se ipeshkvi i Prizrenit përmendet më herët (në vitin 458), në kontekstin e Koncilit të Kalcedonit më 451. Ipeshkvia e Prizrenit përfshinte Rrafshin e Dukagjinit dhe Rrafshin e Kosovës së sotme!

Struktura fetare e paraqitur më sipër kishte filluar të pësonte ndryshime në kohën e Dushanit, mbret i Rashës (Serbisë), i cili sipas Kodit të tij nga vitet 1349, 1355, legjitimoi persekutimin e katolikëve jo vetëm arbëror, por edhe kroat e boshnjak, proces ky që është intensifikuar fuqishëm sidomos me themelimin e Patriarkanës së Pejës në vitin 1557 nga Perandoria Osmane!

Burimi: Fragment nga manuskripti i Bibliotekës së Vatikanit, No. 7109, fleta 2!
Scroll to Top