​580 vjet më parë Skënderbeu vrau 22 mijë ushtarë osmanë

Më 29 qershor të vitit 1444 – U zhvillua Beteja e Torviollit, sot Fusha e Domosdovës, në veri të Peshkopisë, Ishte ndeshja e parë ushtarake e ushtrisë shqiptare nën udhëheqjen e Skenderbeut me ushtrinë otomane, së cilës i printe Ali Pasha. Skënderbeu doli fitues në betejë.

579 vjet më parë ndodhi beteja e Torviollit, ku kryetrimi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu mposhti forca të mëdha osmane në fushën e Torviollit – e njohur edhe si Beteja e Dibrës së Poshtme. Pasi ishte formuar Besëlidhja e Lezhës, ku u bashkuan princat arbërorë, Sulltan Murati II dërgoi një forcë prej 25 mijë trupash me në krye një nga komandantët e tij më me përvojë, Ali Pashën e Shkupit.

Skënderbeu i doli përpara ushtrisë osmane në fushën e Torviollit, ku pas një beteje taktike nga ana e tij, u vranë 22 mijë ushtarë osmanë, ndërsa në radhët e shqiptarëve pati të vrarë vetëm disa qindra. Me këtë fitore, miti i pathyeshmërisë osmane u thye dhe shënoi edhe fillimin e luftërave 25-vjeçare të pandërprera të Gjergj Kastriotit.

“Historianët që janë marrë me betejat e Skënderbeut, në lidhje me betejën e vitit 1444, e cila ishte një nga betejat më të rëndësishme dhe më vendimtare që Skënderbeu zhvilloi kundër ushtrisë osmane, kanë pasur mendime të ndryshme për vendin se ku u zhvillua kjo betejë. Disa mendojnë se ajo është zhvilluar në fFushën e sotme të Domosdovës (Përrenjas) dhe disa të tjerë se ajo ka qenë zhvilluar në trevat e Dibrës. Në tekstin e librit “Historia e Popullit Shqiptar”, Vol. 1 (Tiranë 2002), në lidhje me këtë betejë (të vitit 1444), shkruhet: “Beteja u zhvillua… në fushën e palokalizuar të Dibrës së Poshtme. Qysh nga shek. XVIII, nëpërmjet veprës së Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi me emrin Beteja e Torviollit dhe po kështu si datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit 1444” (faqe 406). Nga leximi i këtij fragmenti do të veçojmë tre fakte: e para, që fusha është ende e palokalizuar; e dyta, që emri i fushës, e cila është quajtur “Torvioll” (?!) dhe data (29 qershor), janë nxjerrë nga libri“Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh” , të autorit të shek. të 18-të, Xhammaria Biemi; dhe e treta, që beteja është zhvilluar në Dibër të Poshtme.

1. Për këtë ngjarje, betejën e vitit 1444, janë hartuar shkrime e libra nga autorë të ndryshëm, të cilët, për vendin se ku është zhvilluar kjo betejë, siç e përmenda edhe më sipër, kanë pasur dhe kanë mendime të kundërta nga njëri-tjetri, ndaj ajo akoma ka mbetur e “papërcaktuar”, apo e “palokalizuar”, siç shkruhet në tekstin e Historisë së Shqipërisë.

2. Për sa kohë që burime të mirëfillta për historinë e Skënderbeut merren nga libri i një autori si Xh. Biemi, vepra e të cilit është vlerësuar si “vepra mashtruese e hileqare” dhe vetë autori i saj është etiketuar si falsifikator (F. Babinger : “Fundi  i arianitëve”, Tiranë 2004), qoftë data (29 qershor), qoftë emri i vendit (“Torvioll”), që janë dhënë prej tij, nuk mund dhe nuk duhet të merren në konsideratë.

3. Për vendin se ku është zhvilluar beteja e vitit 1444 do të ndalemi më gjatë, pasi ky është edhe qëllimi i shkrimit tonë. Libri i Kolonel Dilaver Radëshit, “Beteja e Torviollit” i bën një analizë të thellë shkencore betejës së Skënderbeut të vitit 1444. Përmes burimeve dokumentare, fakteve, argumenteve dhe literaturës shkencore, ai dëshmon se beteja e vitit 1444 u zhvillua në Fushën e sotme të Domosdovës.

Radëshi, ashtu si shumë historianë të tjerë shqiptarë, një pjesë të burimeve për hartimin e librit të tij, gabimisht i ka mbështetur te libri i Xh. Biemit, duke rënë pre e mashtrimeve të abatit breshian. Çuditërisht, duke parë bibliografinë e paraqitur prej tij, për hartimin e librit “Beteja e Torviollit”, ndonëse Kol. Radëshi ka pasur në dispozicion edhe librat e dy prej kritikuesve më të mëdhenj të veprës së Biemit, Frans Babinger (“Das Ende des Arianiten”) dhe Kurt Ohli (“Eine Gefalschte Retdoltinkunavel”), ai çuditërisht nuk i ka përfillur kritikat e studiuesve gjermanë, çka përbën edhe një të metë të madhe të librit. Çështja “Biemi” në historiografinë botërore kishte përfunduar qysh në vitet ’30 të shekullit të 20-të, teksa prifti breshian ishte shpallur si falsifikator profesionist. Por Radëshi nuk ka mbetur skllav vetëm i burimeve të Biemit. Ai ka marrë informacione edhe nga autorë të tjerë shumë më seriozë dhe të besueshëm, si janë p.sh., autorët shqiptarë, Dilaver Radëshi, Dhimitër Frëngu dhe Gjon Muzaka, që kanë qenë edhe bashkëkohës të Skënderbeut. Janë pikërisht këto burime të autorëve arbër të sipërpërmendur, të cilat e bëjnë librin e Radëshit tejet dinjitoz dhe të besueshëm.

Për të përcaktuar vendin e betejës, Koloneli i bën një analizë të gjerë të gjitha elementeve të saj, duke filluar që nga vendi i nisjes së ushtrisë turke (Shkupi), rruga që ndoqi kjo ushtri, qëllimi i mësymjes, strategjia e përdorur etj. Të gjitha informacionet për rrugën e ndjekur nga turqit ai i merr nga Barleti. Dhe është pikërisht Barleti ai i cili i jep informacionin e parë, se beteja e vitit 1444“u zhvillua në Dibrën e Poshtme, 80 mijë këmbë nga Kruja” (faqe 13). Duke kërkuar vendin se ku shtrihej Dibra e Poshtme dhe për të përcaktuar vendin ku u zhvillua beteja, Koloneli shkruan:“të shohim se ku na drejton Barleci” (faqe 13). Ai analizon informacionet e marra nga Barleti, Muzaka etj., për të përcaktuar shtrirjen e territorit të Dibrës mesjetare, si dhe për të përcaktuar kufirin se ku ndahen dy trevat, Dibra e Sipërme dhe Dibra e Poshtme. Kufirin e dy Dibrave, shkruan ai, “duhet ta kërkojmë në një truall më të gjërë se ai i sotmi. Duke u nisur nga përcaktimi i Barlecit se Dibra e Poshtme ishte në kufi të principatës së Kastriotëve… mund të mendohet se Drini ka qenë kufiri që ndante të dy Dibrat mesjetare” (faqe 14).

Radëshi është shumë i vëmendshëm ndaj të dhënave që jepen për vendet dhe fshatrat që ndodhen në Dibrën e Poshtme dhe të atyre që ndodhen në Dibrën e Sipërme, dhe për këtë ai i referohet përsëri Barletit, i cili sipas Radëshit, kur “flet për Sfetigradin, që ndodhet 30 km në perëndim të Strugës, në krahë të djathtë të Drinit të Zi, thotë se ndodhet në Dibër të Sipërme, ndërsa për Modriçin, që ndodhet 22 km në veriperëndim të Strugës, në të majtë të Drinit, thotë se ndodhet në Dibër të Poshtme… Barleci na tregon edhe një vend tjetër që gjendet në Dibër të Sipërme dhe ky është ‘Oraniku. Midis Strugës dhe Ohrit, sot kemi një fshat të quajtur Oranik’ (faqe 13-14)… Barleci na thotë gjithashtu se Skënderbeu, pasi çliroi Krujën dhe kështjella të tjera… zbriti në Dibër të Poshtme, ku u takua me Moisinë” (faqe 14). Pra, është e qartë vendndodhja e dy Dibrave mesjetare: Dibra e Sipërme shtrihej në krah të djathtë të rrjedhës së lumit Drin dhe Dibra e Poshtme në krahun e majtë të lumit. Por Koloneli, për përcaktimin e dy Dibrave, të Sipërme e të Poshtme, i referohet edhe burimeve të tjera, siç janë ato të Gjon Muzakës, i cili kishte një njohje të mirë të viseve dhe pronave të familjeve princërore të Arbërisë të shek. 15-të. Në lidhje me burimet e Despotit të Beratit, Radëshi shkruan se: “Gjin Muzaka, një bashkëkohës i Skënderbeut, na jep një informatë më të saktë. Ai thotë: ‘Moisi Golemi quhej i Dibrës, pasi pronat e tij i kishte në Dibër. Vendi i tij shtrihej në një pjesë të Çermenikës dhe të Mokrës’…” (faqe 14). Radëshi, duke u mbështetur nga të dhënat që japin Barleti dhe Muzaka, e zgjeron shtrirjen e Dibrës së Poshtme deri në Shqipërinë e Mesme dhe sipas tij: “s’ka dyshim se Gryka e Shkumbinit nga Qafa e Thanës dhe deri në Elbasan, ka qenë pjesë e Dibrës së Poshtme” (faqe 14).

Një rëndësi të veçantë në librin e tij, Kolonel Radëshi i ka dhënë lëvizjes që ka bërë ushtria turke dhe rrugën që ajo ka përshkuar për t’u futur në trojet shqiptare. Të dhënat i ka marrë nga historiani turk, Ashik-Pasha Zade, i cili shkruan se sulltan Murati II urdhëroi komandantin e forcave turke të Shkupit, Isa Beun, që të sulmonte viset e Arbërisë. Ushtria turke, shkruan Radëshi, “kishte mundësi ta sulmonte Shqipërinë dhe ta rrethonte Krujën nga dy drejtime kryesore: i pari Kostur-Korçë-Grykë Shkumbinit-Elbasan-Krujë dhe e dyta Manastir-Dibër-Tiranë-Krujë. Në këto drejtime janë sulmuar herë pas here Shqipëria në kohën e Skënderbeut. Drejtimi i përgjithshëm dhe kryesor ka qenë ai i Grykës së Shkumbinit” (faqe 11).

Kolonel Radëshi, duke përshkruar rrugën që ndoqi ushtria turke, e cila zgjodhi rrugën e Grykës së Shkumbinit, ka nxjerrë përfundimin se beteja e Skënderbeut e vitit 1444 u zhvillua në Fushën e sotme të Domosdovës.

Për të mbështetur tezën e tij të Fushës së Domosdovës, ai sjell tetë argumente:

E para, për sa i përket anës taktike, Qafa e Thanës dhe Fusha e Domosdovës, shkruan Radëshi, “janë vende shumë të përshtatshme për luftë të befasishme… Nga ana strategjike ky drejtim është i përshtatshëm, sepse të fut në thellësi të Shqipërisë dhe të çon në Durrës, në bregdetin e Adriatikut, më lehtë dhe më shpejt se drejtimet e tjera dhe e ndan Shqipërinë në dy pjesë”  (Faqe 18);
Së dyti, burimet historike thonë se pothuajse të gjitha ushtritë turke kanë hyrë në Shqipëri në drejtim të Grykës së Shkumbinit, pasi si: “Sulltan Murati II, më 1450, dhe Mehmeti II, më 1466, 1467 dhe 1478, me forca të mëdha ushtarake kanë hyrë në Shqipëri po nga ky drejtim” (faqe 18);

Së treti, rruga e hyrjes së forcave turke në drejtim të Shkumbinit bëhet sipas Radëshit, pasi: “mund të arrihet në Krujë më lehtë e më shpejt se në drejtim të Dibrës” (faqe 18);

Së katërti, forcat e ushtrisë turke nuk mund të futeshin në drejtim të Dibrës, pasi “nuk ka rrugë të përshtatshme për furnizimin e ushtrisë dhe është i ndërprerë nga një sërë vargmalesh të pakalueshme, siç janë vargu i maleve në lindje të Dibrës së Madhe, të Matit dhe në veri të Krujës” (faqe 18);

Së pesti, një tjetër faktor është terreni shumë i vështirë i Dibrës dhe i pasigurt për ushtrinë turke, pasi “vendet përreth Luginës së Drinit të Zi, që prej Strugës e deri në Dibër, dhe rreth luginës së lumit të Radikës, që prej Gostivari deri në afërsi të Dibrës, janë dy drejtime jo të përshtatshme për veprime luftarake, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, turqit nuk mund të futeshin thellë në drejtim të Dibrës dhe të linin pas shpine garnizonin e fortë të Skënderbeut, Sfetigradin” (faqe 18);

Së gjashti, forcat shqiptare, të komanduara nga Ajdin Muzaka dhe Moisi Golemi, gjatë sulmit provokativ që ata i bënë ushtrisë turke në afërsi të Ohrit para betejës vendimtare, dy gjeneralët luajtën rolin e të “mundurit” dhe, duke i tërhequr forcat turke drejt planit të tyre. Ndaj ata, sipas Radëshit, “nuk u tërhoqën gjatë Drinit …por nëpërmjet Qafës së Thanës, në drejtim të Grykës së Shkumbinit” (faqe 22);

Së shtati, Skënderbeu kishte një rrjet informacioni shumë të përsosur, fakt ky që është i vlerësuar nga të gjithë historianët që janë marrë me jetëshkrimin e tij. “Biografët e Skënderbeut, shkruan Koloneli në librin e tij, shkruajnë se një nga faktorët që ndikonte në fitoret e shumta të tij qe zbulimi, pasi ai kishte informatorë në tërë tokën turke deri në Edrene” (faqe 9-10). Skënderbeu, sipas Radëshit, kishte marrë informacion se “ushtria turke do të hynte në Shqipëri nga drejtimi i Manastirit… dhe u nis në drejtim të Ohrit” (faqe 11);

Së teti, një tjetër argument për Kolonel Radëshin janë burimet popullore, si legjendat për Skënderbeun dhe toponimet që lidhen me emrin e heroit: “Për të përjetësuar luftërat në këtë krahinë, shkruan Koloneli, një varg vendesh na kanë mbetur sot me emrin e Skënderbeut. Kjo krahinë është plot me toponime e legjenda që lidhen me emrin e Skënderbeut. Këtu është fshati Skënderbe, Shkalla e Skënderbeut në veri të fshatit Rrajcë,

Hamza Kastrioti në të majtë të Shkumbinit dhe Shpella Skënderbe, në jugperëndim të Bërzeshtës. Këto toponime, si dhe gojëdhëna popullore, dëshmojnë se këtu janë zhvilluar luftime me turqit” (faqe 17).

Një vlerë të veçantë, librit të Kolonel Radëshit i japin hartat apo skemat, siç i quan ai. Autori ka përdorur 6 skema, që i emërton ato “Skema Nr. 1”, “Skema Nr. 2”, “Skema Nr.3” etj. Skemat pasqyrojnë fazat e zhvillimit dinamik të betejës. Në skemën e parë pasqyrohet harta fizike e Fushës së Domosdovës dhe e fshatrave përreth saj. Në skemën e dytë jepen lëvizjet e dy ushtrive dhe ndeshja e parë me turqit, e cila, sipas autorit, u zhvillua në rrethinat e Strugës. Në skemën Nr. 3 janë vendosur në fushë dy ushtritë përballë njëra-tjetrës, të gatshme për të filluar betejën, e cila sipas Radëshit, u zhvillua në tri etapa. Etapa e parë, e cila është pasqyruar në skemën Nr. 4, u zhvillua “për të shkaktuar rrëmujë në rrjeshtimet e të dy palëve dhe për të zbuluar aftësitë luftarake të ushtrive” (faqe 30). Etapa e dytë e betejës, që pasqyrohet në skemën Nr. 5, paraqet sulmin frontal e të dy ushtrive. Skema Nr. 6 pasqyron etapën e tretë dhe të fundit të betejës, ku Skënderbeu, siç e përshkruan Koloneli në librin e tij, po u qëndronte me vështirësi “sulmeve të njëpasnjëshme të turqve… (dhe) Hamza Kastrioti me 3000 kalorësit e tij doli si vetëtima nga pylli dhe e goditi të befasi të plotë, në shpinë ushtrinë turke…” /usalbanianmediagroup

Sipas vëllimit “Beteja e Torviollit” (Tiranë 1963) – Kolonel Dilaver Radëshin (faqe 36).”

“Beteja e Torviollit” (Tiranë 1963) – Kolonel Dilaver Radëshin
“Beteja e Torviollit” (Tiranë 1963) – Kolonel Dilaver Radëshin (Etapa e pare e betejes se Torviollit)

 

“Beteja e Torviollit” (Tiranë 1963) – Kolonel Dilaver Radëshin (Ndeshja e pare me turqit)

“BETEJA E TORVIOLLIT” Parid DULE

Scroll to Top