E FUNDIT! Tenderi i Unazës 20 mln €: Balluku favorizoi kompani të lidhura me Berishën!

SPAK ka intensifikuar hetimet për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe, një procedurë 20 milionë euro që, sipas të dhënave të hartuara nga dekriptimi i telefonave, dyshohet se është paracaktuar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe vartësit e saj në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Procedura është zhvilluar me shpejtësi të pazakontë: tenderi u hap më 16 gusht 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor. Sipas hetimeve paraprake, komunikimet mes Ballukut dhe vartësve të saj tregojnë se fituesi ishte përcaktuar përpara garës.

Fitues ka rezultuar bashkimi i tre kompanive: “Euroteorema Peqin”, “Pe-Vla-Ku” dhe “Nova Construction 2012”, me ofertë 19.9 milionë euro, rreth 95% të fondit limit. Dokumentet tregojnë se “Euroteorema” ka marrë tendera edhe gjatë qeverisjes së Sali Berishës, duke përdorur në atë periudhë konsulenca juridike nga Argita Berisha, ndërsa “Nova Construction 2012” është në pronësi të Ilir Shtufit, një biznesmen i dyshuar si i lidhur financiarisht me familjen Berisha, denoncuar vazhdimisht nga mediat.

Tenderi mban “flamur të kuq” në faqen e prokurimit publik për dy arsye të forta:

Janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, mes tyre edhe kompani me oferta shumë më të ulëta.

Nga 8 konkurrentë, 3 kompani ofruan kosto dukshëm më të leverdishme për buxhetin e shtetit:

  1. • ALB-STAR – 16.8 milionë euro
  2. • CURRI / Vëllezërit Hysa – BE-IS – 17.4 milionë euro
  3. • Kevin Construction – vetëm 15.9 milionë euro

Të gjitha këto u përjashtuan me argumentin se “nuk plotësonin kriteret teknike”.

Ndërkohë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i dha operatorit fitues 267.6 pikë, ndërsa mesatarja e ofertuesve të tjerë ishte vetëm 89.2 pikë, duke ngritur dyshime për favorizim ekstrem.

Sipas ekspertëve, nëse do të ishte shpallur fituese një prej ofertave më të ulëta, taksapaguesit shqiptarë do të kursenin miliona euro. Hetimi i SPAK vijon, ndërsa pritet të thirren figura të tjera të rëndësishme të institucioneve publike.

Scroll to Top