NËNTORI I SAKRIFICËS E I KRENARISË SHQIPTARE (1908–1912)
Nëntori është muaj i shenjtë për shqiptarët. Është muaji ku fjalët, gjaku dhe shkronjat u bënë një. Muaji kur kombi ynë, i ndarë, i sulmuar, i mohuar, gjeti forcën të ngrihej mbi shekuj dhe të shpallte veten të gjallë, të lirë dhe të pavdekshëm.
Në 22 nëntor 1908, në Manastir, delegatët shqiptarë – myslimanë, katolikë e ortodoksë – u mblodhën rreth një tryeze të vetme, duke i treguar botës se shqiptarët nuk i ndante feja, por i bashkonte gjuha.
Aty u lind Alfabeti i gjuhës shqipe arma më e fortë që kombi ynë kishte pasur ndonjëherë. Shkronjat e tij nuk ishin vetëm gërma, por shpata të mendjes, flamuj të kulturës, besa e kombit të ardhshëm.
Pa alfabet nuk ka shkollë. Pa shkollë nuk ka ndërgjegje. Dhe pa ndërgjegje nuk ka liri. Prandaj, ata burra që u mblodhën në Manastir ngritën themelet e Pavarësisë.
Dhe vetëm katër vjet më pas, më 28 nëntor 1912, në Vlorë u hap një faqe e re:
- Flamuri i Skënderbeut u ngrit përsëri, kufijtë e shpirtit shqiptar u vulosën me gjakun e martirëve, dhe bota dëgjoi zërin e një kombi të vjetër që po rilindej.
Nëntori është kështu:
- 22 nëntori – lindja e shkronjave shqiptare,
- 28 nëntori – lindja e shtetit shqiptar.
- Të dyja të hyjnishme, të dyja të sakta, të dyja të përgjakura nga sakrifica.
- Të dyja vepër e mendjes dhe e shpirtit shqiptar.
- Alfabeti i dha kombit gjuhën.
- Pavarësia i dha tokën.
Së bashku, ato krijuan Shqipërinë një popull që mbijetoi perandori, luftëra, shpërngulje e padrejtësi, por nuk e humbi kurrë zërin, besën dhe flamurin e vet.@s.ndrecaj

