hidden hit counter Lara Colturi merr vendin e dytë në Kupën e Botës për ski, feston ditëlindjen me flamurin kuqezi - Shqipet

Lara Colturi merr vendin e dytë në Kupën e Botës për ski, feston ditëlindjen me flamurin kuqezi

Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë, ka shkëlqyer sërish në Kupën e Botës për Ski, duke u ngjitur për herë të katërt në karrierë në podium.

Në garën e dytë të sezonit, të zhvilluar në pistën e Levit në Finlandë, 19-vjeçarja siguroi vendin e dytë në disiplinën e Slalomit, me kohën totale 1:50.58, vetëm 1.66 sekonda pas fitueses, kampiones amerikane Mikaela Shiffrin.

Colturi e nisi garën me ritëm të lartë, duke u renditur e dyta në lëshimin e parë, 1.08 sekonda pas Shiffrin. Në lëshimin e dytë ajo regjistroi kohën e tretë më të mirë, vetëm 0.58 sekonda më pak se amerikania.

Pavarësisht se Slalomi nuk është specialiteti i saj kryesor, Lara Colturi arriti një rezultat të shkëlqyer, duke u renditur e dyta në klasifikimin përfundimtar.

Kjo performancë vjen vetëm tre javë pas vendit të shtatë në Sölden të Austrisë dhe përkon me ditëlindjen e saj të 19-të, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë për skiatoren e talentuar që vazhdon të ngjisë emrin e saj në skenën botërore të skive alpine.

Lara Colturi me këtë vend të dytë në garën e Slalomit mori 80 pikë duke e çuar në 116 pikë totalin pas dy garave të para të Kupës së Botës dhe e sheh veten në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, pas Mikaela Shiffrin dhe Paula Moltzan.

Javën që vjen Lara Colturi do jetë në pistën e Gurgl në Austri, në disiplinën e Slalomit.

 

Scroll to Top