PAS 2,500 VITESH, HELMETA E LAVDISË ILIRE DEL NGA DHEU
Arkeologët në Kroaci kanë zbuluar një helmetë metalike ilire 2,500-vjeçare në një tumë varrimi (mound) në vendin arkeologjik Gomile, pranë fshatit Zakotorac, në gadishullin Pelješac, afër Detit Adriatik.
Sipas profesorit të arkeologjisë në Universitetin e Zagrebit, Hrvoje Potrebica, helmeta daton diku midis fundit të shekullit VI p.e.s. dhe fillimit të shekullit IV p.e.s.. Ajo u gjet në një strukturë prej guri, e cila ishte e ndarë nga varret, çka sugjeron se mund të ketë qenë një ofrande votive për paraardhësit ose një pjesë e ritualeve kultike të lidhura me tumën, e jo për ndonjë individ të veçantë.
Helmetat e këtij lloji, sipas dëshmive të historianëve grekë të lashtësisë, i përkisnin fisëve ilirë, që në atë kohë lulëzonin në rajonin e Ballkanit. Më vonë, këto fise u pushtuan gradualisht nga romakët gjatë luftërave nga viti 229 deri në 168 p.e.s.
Ndërkohë, arkeologu Domagoj Perkić, drejtor i Muzeut Arkeologjik në Dubrovnik, tha se nëse helmeta është përdorur në luftë, ajo ka pasur edhe një efekt psikologjik ndaj armiqve.
“Mjafton të imagjinoni një luftëtar me një helmetë të ndritshme në kokë, nën diell, në prag të betejës… vetëm ai moment mund të shkaktonte frikë dhe adhurim te armiku,” – u shpreh Perkić.
Në vitin 2020, në një tjetër tumë pranë këtij vendi, u gjet një helmetë e ngjashme ilire, gjithashtu e vendosur si ofrande, jo në varr individual.
Kërkimet në sitin e Gomile po zhvillohen nga Qendra për Kërkime Parahistorike në Zagreb, në bashkëpunim me Muzetë e Dubrovnikut dhe Institutin e Arkeologjisë të Kroacisë.
Ky zbulim i rrallë hedh dritë mbi trashëgiminë ushtarake dhe kultike të Ilirëve, një nga popujt më të lashtë të Ballkanit që la gjurmë të thella në historinë e rajonit.
