‘Atdheu na thërret”, kërkohen 2100 rezervistë në krah të FA! Koloneli Pando për Report Tv: Do të paguhen si ushtarakë aktivë, marrin gradë
Një ligj për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Shqipëri është hedhur në konsultim publik ndërsa një plan paraprak parashikon një forcë prej 2100 rezervistësh. Në një intervistë për Report Tv Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kolonel Aleksandër Pando, na njeh me detajet dhe kriteret për këtë strukturë të re në Ushtrinë e vendit.
Shteti shqiptar kërkon 2100 rezervistë të jenë në gatishmëri për t’i shërbyer vendit në situata krize, momente kritike, por edhe për misione të thirrura nga aleatët strategjikë. Koloneli Pando shprehet për Report tv se paqja është shumë larg, duke qenë se lufta po zhvillohet në kufijtë e Evropës.
“Kjo forcë mund të shërbejë bashkë me komponentin aktiv si brenda vendit për emergjencat civile, por edhe në misione që mund të marrim nga NATO- apo dhe BE në zgjidhjen e krizave apo dhe në situata të tjera konflikti. Duhet theksuar që pasja e një komponenti rezervist të përgatitur do të bëjë një lirim të Forcave të Armatosura aktive për t’u fokusuar më shumë në realizimin e misionit të tyre kushtetues. Vetë situata gjeopolitike ka ndryshuar, ajo paqe që pretendonim, situata në Ukrainë nuk ekziston më. Kemi një luftë që po zhvillohet në kufijtë e Evropës” thotë kolonel Aleksandër Pando.
Krijimi i kësaj strukture është miratuar nga Qeveria në një vendim të vitit 2019, ku krahas 8500 forcave aktive, 2100 rezervistë do të plotësonin të gjithë kuadrin e Forcave të Armatosura.
“Numri 2100 ka dalë në bazë të dokumenteve të tjera strategjikë. Përveç ligjeve kemi strategjinë e sigurisë kombëtare, strategjinë ushtarake dhe rishikimin e mbrojtjes, ku jepet situata gjeopolitike, kërcënimet, rreziqet dhe bëhet një vlerësim për sasinë e forcave që na duhen për përballimin e këtyre situatave. Në bazë të këtyre vlerësimeve ka dalë dhe numri 2100. Ky numër nuk do krijohet menjëherë. Do fillojmë me një strukturë të vogël në nivel kompanie dhe më pas do shkojmë te numri 2100” vijon kolonel Pando.
Se cilat janë kategoritë që duhet të aplikojnë dhe cilët do të përzgjidhen të parët për kolonelin e Forcave të Armatosura kjo do të jetë gjithmonë në varësi të nevojave.
“Kur diskutojmë për komponentë rezervistë janë dy grupe, ish-ushtarakë në rezervë, target-grupi i parë që do afrojmë sepse e kanë një përvojë ushtarake. Kur diskutojmë për ata që nuk kanë shërbyer, do ndahet në disa kategori, në varësi të trajnimit apo shkollimit që ka. Në bazë të nevojës që kemi nëpër struktura, do bëhet edhe përgatitja e tyre” tregon Pando.
Një projektligji i hedhur për konsultim publik prej dy javësh përcakton të gjitha kriteret e rekrutimit, procedurat se si do të bëhet, përfitimet dhe detyrimet. Ndërsa e veçanta është se nëse një rezervist do të thirret për shërbim, punëdhënësi i tij është i detyruar t’ia ruajë vendin e punës deri në kthim.
“Rezervisti përfiton të gjitha të drejtat që ka një ushtarak aktiv. Që nga grada, rroga, dhe bonuset e tjera, në rast se do shkojë jashtë vendit me misione do marrë përfitimet që merr dhe një ushtarak aktiv. Ushtari, nën oficeri dhe oficeri në rezervë kur thirren mbajnë të njëjtat grada që kanë pasur, civili merr gradën në varësi të trajnimit që ka bërë, sipas ligjit të gradave në Forcat e Armatosura” sqaron Pando për Report Tv. /Shqiptarja.com