Kreu i SPAK “kërcënon” sërish Edi Ramën?
Kreu i SPAK, Altin Dumani është shprehur mbrëmjen e sotme se dosja “McGonigal” është në fazë hetimi paraprak, ndërsa shtoi se janë në pritje të disa letërporosive nga SHBA lidhur me çështjen.
Në intervistën për “Trialog”, ai theksoi se ndaj SPAK nuk ka asnjë presion për këtë dosje.
“Ajo dosje është në fazë hetimi paraprak. Dhe ajo dosja ka filluar kryesisht nga prokuroria pastaj i është bashkuar edhe denoncimi i deputetit të opozitës. Jemi në pritje të disa letërporosive nga SHBA. Nuk kemi asnjë kompleks për asnjë çështje por presim provat. Nuk ndihemi në presion nga dosja McGonigal, por ka vështirësitë e veta dhe kemi dhe periudha pritjeje”, tha ai.
Kryeprokurori i SPAK, deklaroi më tej se për prokurorët e posaçëm nuk ka asnjë person të paprekshëm, përfshirë këtu edhe vetë kryeministrin Edi Rama.
Dumani tha se në rast se ka prova për kryerjen e një vepre penale nga ana e kryeministrit, ndaj tij do të ushtrohet ndjekja penale.
“Për mua dhe prokurorët e Posaçme nuk ka person të paprekshëm. Në rast se ka prova për kryerjen e një krimi ushtrohet ndjekja penale edhe ndaj kryeministrit. Edhe ndaj kujtdo qoftë. Në rast se ka prova nuk ka asnjë pengesë apo ndalim ligjor që të mos ushtrojmë ndjekjen penale ndaj kryeministrit. Vetëm nëse ka prova për kryerjen e një vepre penale.”, u shpreh Dumani.

