“E vëteta vonon, por nuk harron”: Albanët/Arbënit ishin aty ku janë sot dhe pas dyndjeve sllavo/barbare
Në përmbledhjen e tij të dokumenteve për historinë e vjetër të Kroacisë historiani Franjo Rački ka riprodhuar edhe një dokument që ka mbetur dëshmi ende e painterpretuar siç do të duhej: një akt i nxjerrë nga një regjistër pergamene i shek.XII, i ruajtur në Arkivin e Kapitullit të Splitit nga një manastir i Shën Pjetrit dhe i transferuar në bibliotekën e Akademisë së Shkencave të Zagrebit. Akti ka regjistruar zakonin, prej kohësh të moçme dhe deri në fund të shek.XI, që Kroacia të kishte gjashtë banë, të cilët zgjidhnin mbretin kur ky vdiste pa lënë bij.
Dhe këta ishin: bani i Kroacisë i pari, bani i Bosnjës i dyti, bani i Sklavonisë i treti, bani i Posigës i katërti, bani i Podramës i pesti, bani i Arbënisë (Albanie) i gjashti, bani i Sremit i shtati. Këtë Albanie,
Rački e interpretoi me faktin që Dalmacia e poshtme është quajtur edhe “Croatia alba”. Është për t’u mbajtur parasysh që burime të ndryshme dokumentare dëshmojnë që, prej shek.VIII, “Kroatët e bardhë”, siç quheshin kroatët perëndimorë, kishin zbritur drejt Jugut duke luftuar e duke u bërë zotër jo vetëm të një pjese të Dalmacisë, por edhe të Prevalitanës, që do të thotë deri në Lezhë, në mos deri në Durrës (vitet 602-626).


