javascript hit counter Kush do e drejtojë Bashkinë e Tiranës, Veliaj nga burgu apo Rama? Avokati zbulon detajet: 30 ditë me propozim ... - Shqipet

Kush do e drejtojë Bashkinë e Tiranës, Veliaj nga burgu apo Rama? Avokati zbulon detajet: 30 ditë me propozim …

Avokati Genc Gjokutaj ishte në një lidhje direkte për një emision televiziv, ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e Erjon Veliajt.

“Vendimi i qeverisë ka operuar mbi një pikë juridike, e cila nuk i jep asaj kompetencë për t’u shprehur në lidhje me shkarkimin. Pra, këtu ka dhe një difekt të ligjit në fakt, pasi nuk mundet Kushtetuta të marrë në mbrojtje apo t’i japë zgjidhje një çështjeje të tillë siç është vakanca prej tre muajsh e kryetarit të bashkisë. Ky nuk është problem që duhet ta zgjidhë Kushtetuta dhe ligji. Vendimi i Këshillit të Ministrave është shprehur mbi një pikë mbi të cilën nuk ka qenë shkaku real i shkarkimit të zotit Veliaj. Pra, vendimi i Këshillit të Ministrave vepron vetëm në një rast, kur ka shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe kjo mund të ndodhë që në fillim të konstatimit të shkeljes së rëndë të ligjit dhe Kushtetutës. Dhe ne kemi precedentetët me kryetarin e bashkisë së Dibrës apo Kukësit kur është vepruar brenda ditës, pavarësisht dorëheqjes së njërit prej tyre që qeveria ka vepruar me urgjencë për të shkarkuar për shkelje të rëndë të ligjit dhe të Kushtetutës”, tha Gjokutaj.

“Qeveria nuk ka pasur kompetencën që të konstatojë dhe të vendosë mbi këtë sepse mungesa në punë nuk është shkelje e rëndë e ligjit dhe e Kushtetutës, pastaj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar edhe procesin jo të rregullt ligjor, pra mosdëgjimin në Këshillin Bashkiak e të tjerë”, shtoi avokati.

Kur u pyet se çfarë do të thotë kjo për Erion Veliaj, Gjokutaj u përgjigj: “Nga pikëpamja kushtetuese ky vendim është një vendim shumë korrekt dhe i bazuar në ligj. Ligjërisht ky vendim ishte i pritshëm dhe i vetmi që mund të merrej nga ajo gjykatë, por duke u nisur nga qëndrimet, nga ndërhyrjet politike, nga trysnia politike, nga kapja e gjykatave në Shqipëri, një vendim i drejtë në ligj duket si një çudi, duket si një gjë e rrallë. Kemi marrëveshjen me Italinë për emigrantët apo shkurtimi i mandateve mbi bazën e një kërkese të Presidentit të Republikës.

Ky vendim në fakt i jep përgjigje edhe marrëzisë politike të qeverisë, sepse një proces që nis politikisht edhe që afatet nisen nga momenti i interesit politik dhe jo nga ajo që ligji kërkon, në rastet konkrete të çojnë pikërisht në këto shkelje mbas shtatë muajve kur i desh kryeministrit për ta shkarkuar zotin Veliaj, atëherë e nisi këtë procedurë, thirri këshilltarët dhe sigurisht që kjo do të përfundonte kështu. Formalisht, nga pikëpamja formale, zoti Veliaj nuk ka vakancë në Bashkinë e Tiranës.

Pra, për Bashkinë e Tiranës nuk do të bëhen zgjedhje dhe sigurisht Gjykata Kushtetuese bashkë me rrëzimin e VKM-së ka shfuqizuar edhe dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe duke mos pasur vakancë në kuptim të ligjit. Pra, bashkia e Tiranës e ka kryetarin, pavarësisht se është i arrestuar në burg. Ligji i atij jep të gjitha të drejtat që të delegojë në mungesë të tij pushtetin te një nga nënkryetarët, por këtë punë po e bën kryeministri.

Vullneti i Veliajt ishte për Sara Goxhajn, sa mbaj mend dhe ai nuk u përfill dhe ai nuk tentoi më. Pra, zoti Veliaj për mendimin tim duhet ta ushtrojë, pavarësisht pengesave edhe mospranimit nga pushteti qendror, sepse këtu kemi të bëjmë me një cenim të rëndë të autonomisë vendore. U bë kohë që ekzekutivi dhe posaçërisht kryeministri i Shqipërisë, me një thirrje i detyron kryetarët e bashkive të japin dorëheqjen.

Pra, ka një mbivendosje të pushtetit qendror mbi pushtetin lokal dhe në këto kushte pavarësisht se ligji e njeh si kryetar të bashkisë, praktikisht ai nuk e ushtron dot për shkak të këtij vullneti mospranues të kryeministrit dhe kjo nuk është një term që flet për një shtet ligjor, ky është një vullnet i dhunshëm i peshkut të madh që ha peshkun më të vogël. Ky është ligi i xhunglës, pra kur nuk funksionojnë më institucionet”.

“Ju duhet të dini që arresti në burg, Erjon Veliajt nuk i afekton mandatin e kryetarit të bashkisë. Dhe ka një rrugë ligjore që i mbaron mandati apo i ndërpritet mandati. Këta thonë 30 ditë me propozim të Këshillit Bashkiak, por ja që dispozita kushtetuese nuk e lejon qeverinë që të veprojë mbi atë referencë të Këshillit Bashkiak. Dhe këtu kemi një përplasje të ligjit, sepse ajo dispozitë mbi të cilën është shkarkuar zoti Veliaj është një dispozitë që është bërë që në kohën e kryetarëve të komunave, të cilët jetonin në qytet dhe nuk shkonin nëpër komuna dhe është vënë një kufizim kohor që ata të shkonin të ushtronin detyrën. Sot kjo dispozitë vjen ndesh dhe nuk i jep juridiksion Këshillit të Ministrave që ta shkarkojë pikërisht mbi këtë bazë pse s’ka vajtur tre muaj në punë. Këshilli i Ministrave ka vetëm një pikë. Në momentin kur kryetari i bashkisë kryen një shkelje të rëndë të ligjit apo të Kushtetutës ose kur dënohet me vendim të formës së prerë, por nuk merret Këshilli i Ministrave me vakancën në detyrë”, shtoi më tej Genc Gjokutaj.

Scroll to Top