Shpërthen Spartak Ngjela: Kam të drejtën time morale, personale që ta them se është turp që Fatos Nano … (Video)
Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, ka komentuar figurën e Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe lider historik i Partisë Socialiste, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.
Ngjela u ndal veçanërisht te vendndodhja e varrimit të Nanos, duke e cilësuar atë si një “turp kombëtar” për postin dhe rolin që ai ka pasur në historinë e vendit.
Sipas tij, një figurë që ka rrëzuar komunizmin, nuk duhet të kishte një varrim të thjeshtë në varrezat publike.
“Kam të drejtën time morale, personale dhe kombëtare që ta them se është turp. Këtu nuk kuptohet çfarë do të thotë kryeministër që ka rrëzuar komunizmin, Nano ka qenë i pari, edhe liberal edhe njeri me botëkuptim të thellë perëndimor dhe nuk mund të shkonte të varrosej në varre popullore. Kryeministri është kryeministër. Është defekt i madh historik që kryeministrit i bëjnë një varrim të thjeshtë”, thekson avokati.
Ngjela shton se nuk mori pjesë në ceremoninë e varrimit, pasi e konsideronte atë një mungesë respekti për figurën e Nanos.
“Unë isha vetë në varrim por isha në momentet kur ishim brenda në Pallatin e Kongreseve. Qëkur më thanë se varrimi do bëhej në varrezat komunale, nuk vajta, se fyeja edhe të vdekurin edhe veten”.
I pyetur se ndoshta kjo mund të ishte një zgjedhje e familjarëve të Fatos Nanos, avokati Ngjela kundërpërgjigjet duke thënë se: “Unë jam profesionist, njoh shtetin nuk njoh familjen, nuk vajta si familjar. Kryeminstri në një shtet normal varroset në varre kombëtare”, tha ai.
