Kush është avokati i Radoiçiq? Si gjykatës, ka dënuar 150 shqiptarë
Kush është Goran Petronijeviç, avokati i autorizuar i Milan Radoiçiq? Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviç, Petronijeviç ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.
Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, Petronijeviç i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit, raporton Evropa e Lirë.
Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.
Para gjykatës ndërkombëtare, avokati Petronijeviç i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.
Më i famshmi është Radovan Karaxhiç, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.
Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.
Në mesin e gushtit, Petronijeviç ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.
Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.