Auron Tare: Greqia në këmbë për një gjakprishur, Shqipëria hesht për një patriot

Studiuesi Auron Tare i është qasur një krahasimi me theks denoncues për dy raste, atë të Belerit dhe Dritan Goxhajt. Të dy në burg, por ndryshe ka interes për njërin e ndryshe për tjetrin.

Shkruan Tare:

Fredi Beleri, një ish-banor i Progonatit në malësitë e thella të Tepelenës, i vetëshpallur si grek, i akuzuar (por jo i dënuar) si pjesëtar i grupeve terroriste anti-shqiptare, i zgjedhur në mënyrëë demokratike si Kryetar i Bashkisë së Himarës, me mbështetjen politike të një ish-kryeministri dhe ish-presidenti, tashmë në burg. Për ta çuar në karrigen e fituar Belerin e Progonatit, është hedhur në sulm diplomacia helene në nivelin më të lartë të mundshëm. Beleri është një emër i njohur në kancelaritë euroatlantike dhe personalitete të shquara të politikës greke vijnë çdo javë në Shqipëri për t’i bërë presion politikës shqiptare që ta lirojë.

Dritan Goxhaj, shqiptar, ish-anëtar i UÇK-së, i cili në kohën më kritike për kombin e tij iu përgjigj thirrjes së ndërgjegjes kombëtare. Shërbeu në ushtrinë guerrile dhe pasi lufta mbaroi dhe Kosova u bë e pavarur, vazhdoi jetën e tij modeste pë kërkuar as shpërblime dhe as medalje. Sot është në burgjet e shtetit të tij për një intervistë(në median e lirë dhe të pavarur demokratike ku presupozohet të thuash mendim tënd). Për Goxhajn nuk interesohet askush nga diplomacia jonë, të paktën publikisht, as ish-kryeministri apo ish-presidenti. Po ashtu, si opinioni publik e si politika nuk kanë ndonjë interes të dukshëm për çështjen e tij. Për Goxhajn nuk ka as shoqatë avokatësh që ta mbrojnë publikisht, as kryetarë bashkish dhe as kryeministra. Dritani është i vetëm në qeli, për ironi të fatit ndoshta shumë afër me qelinë e Belerit nga Progonati”.

Tare përcjell kështu nja apel ndërgjegjësues mbi fatin e Dritan Goxhajt, viktimë e Speciales së Kosovës e cila tashmë mund të cilësohet dhe si famëkeqe, për vetë arrestimet e krerëve të UÇK-së, me të cilat s’është dakort as vetë Rama. Por Rama dhe qeveria e tij nuk po bëjnë asgjë, për sa kanë në dorë, për të mos ia dorëzuar Speciales famëkeqe një model atdhetarie dhe qytetarie si Dritan Goxhaj.

Scroll to Top