Habit Ermal Mamaqi: Njerëzit që janë të varfër, e meritojnë të jenë të tillë
Ermal Mamaqi ka deklaruar gjatë një interviste televizive se gjithkush që është i varfër pas të 40-tave e ose në çdo moshë tjetër mbi të 40-tat, meriton të jetë aty ku është.
Duke folur për biznesin, televizionin dhe sukseset në karrierën e tij, Mamaqi tha se njeriu merr gjithmonë atë që meriton dhe toleron.
Pjesë nga intervista:
-Nëse dikush është në të 40-at e tij dhe është ende i varfër, a e meriton që të jetë i varfër?
“Unë di këtë gjë, nuk ka rëndësi nëse je në të 40-at apo të 60-at, nuk ka rëndësi. Unë besoj që ke kohë gjithmonë dhe nëse e meriton apo jo të jesh ashtu siç je, besimi im është që po, e meriton. Ne meritojmë shokët që kemi, ne meritojmë qeverinë që kemi, punën që kemi. Ne marrim atë që tolerojmë. Ti e toleron shefin të sillet keq, ajo që merr është kjo. Ti toleron gruan ose burrin që të sillet ashtu, ajo që do marrësh është kjo. Ti toleron veten tënde të hash një tortë, ajo që do marrësh është kalori. Kështu që po, secili e meriton dhe është aty ku është, si pasojë e asaj që ka toleruar”, tha ai në emisonin “Live From Tirana”.
