Kush ishte Fatos Nano dhe si e futi në kurthë Berisha?
Ka vdekur në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri Fatos Nano. Ky i fundit prej kohësh vuante nga probleme me shëndetin, të cilat duket se këtë herë s’i kapërceu dot. Fatos Nano u tërhoq nga politika në vitin 2005, pas një karriere të gjatë dhe të shquar si kryeministër i Shqipërisë.
Nano prej një muaj ishte në reanimacionin e një spitali privat në Tiranë.
Kush ishte Fatos Nano?
Fatos Nano filloi karrierën e tij politike në vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatisë vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik.
Zgjedhjet në 31 mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh, ai u detyrua të japë dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në mars 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata.
Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë post komuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte për shkak të opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.
Gjatë vitit 1994, skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale.
Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin.
Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Ndërkohë, në shtator të vitit 1998 dha dorëheqje pas trazirave që u shkaktuan pas vrasjes së Azem Hajdarit.
Fatos Nano u gjykua i pafajshëm ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.
