Blendi Fevziu: Rama, njeriu më i pushtetshëm në 30 vite, po bëhemi vend me një parti. Tek PD nuk beson më asnjeri tek fitorja, as Berisha..
Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për përqëndrimin e të gjithë pushtetit në duart e mazhorancës dhe arrogancën e qeverisë.
Fevziu deklaroi se Shqipëria nuk e ka më hapësirën demokratike që ka patur më parë, janë prishur të gjitha balancat dhe shtoi se vendi po shkon drejt qeverisjes nga një parti e vetme. Ai shtoi se ky fenomen po shihet në mbarë botën, madje edhe në vende demokratike si SHBA-të, duke përjashtuar pak vende në Europë.
“Arroganca nuk vjen nga reagimi personal i një individi pasi lidhet edhe me karakterin. Por kur flasim për qeverinë, arrogance vjen nga shifrat. Për sa kohë, një qeverisje ka shifra të larta, natyrisht bëhet më arrogante. Për sa kohë një qeverisje nuk kërcënohet në vota, bëhet më arrogante. Për sa kohë një qeverisje shton numrin e deputetëve, natyrisht vjen duke marrë territor nga pushtetet e tjera. A është sot Rama njeriu më i fuqishëm në Shqipëri? A është njeriu më i fuqishëm institucionalisht që ka patur Shqipëria në këto 30 vite? Po. Nëse flasim për pushtete, në vitet 92-94, edhe Berisha ka patur të gjithë pushtetet, por kishte përballë një opozitë të fortë.
Momenti që po kalojmë, Rama është shumë i fuqishëm, ka thuajse çdo pushtet, nuk mund ti thuash një njeriu, ji ti i butë ose ndryshe, njeriu arrogancën e merr nga pushteti. Nëse dikush mendon se Rama nuk duhet të jetë arrogant dhe nuk duhet të ketë këto pushtete, nuk duhet ti japë votën. Më thonë njerëz, më kapi një grua në rrugë më tha Rama i ka fituar të gjitha, më prishi edhe ballkonin që kisha mbuluar për të shitur paketa, e kam votuar gjithë jetën tha ajo. I thashë, po pse më bërtet mua, unë nuk e kam votuar ndonjëherë, ti që e voton dhe e fuqizon, kur të vjen të shtëpia jote, fillon mendon.
Nëse do ta votojnë, Rama do të fuqizohet edhe më shumë, do të bëhet edhe më arrogant. Kjo është një gjë shumë e thjeshtë. Edhe institucionet, nuk është aq kollaj që të rezistojnë. Është 83 mandate. A është arrogancë, mbledhja e drejtuesve të PD në rrethe dhe vendosja e tyre në poste? Po. Është tentativë për ta çuar vendin, drejt një vendi me një parti të vetme, ku opozita gati nuk ekziston. Kur merr edhe drejtuesit e opozitës…
Problemi është, pas 35 vite të transformimit të Shqipërisë, vendi nuk e ka hapësirën demokratike që ka patur më përpara. Nuk e ka debatin politik që ka patur, balancën politike që ka patur, nuk e ka në pushtetin qëndror dhe as në lokal. PD ka vetëm Kavajën dhe Pukën. Ai ka marrë të gjithë pushtetin lokal. Ka gjithë pushtetin qëndror, ka 83 mandate në Parlament.
Ai vazhdon dhe fiton me të njëjtat ritme. Ose do të ketë ndërhyrje të ndërkombëtarëve, që nuk duket se kanë ndonjë shqetësim për të ndërhyrë, e dyta hapësira e PD vjen duke u rrudhur dhe të mos harrojmë nuk është vetëm fenomen shqiptar, është fenomen i përbotshëm. Ka në SHBA, që dalin në rrugë, duke konsideruar që po rrudhet hapësira demokratike. Fundjavën e kaluar ishte kështu. Në Beograd pretendohet të dalin një milionë njerëz në rrugë për të kontestuar Vucic. Apo Erdogan, 27 vjet. Në fillim të viteve ’90 kjo gjë ishte e paimagjinueshme.
Po rikthehemi në situatë që regjimet autoritariste dhe të forta po rriten në kurriz të demokracisë”, tha Fevziu.
Në PD vetëm Berisha beson tek fitorja
Blendi Fevziu u shpreh kritik me opozitën shqiptare, duke thënë se ajo nuk ngjall më shpresë. Ai tha se te PD vetëm Berisha jeton politikisht, ndërsa të tjerët nuk besojnë te fitoja dhe duan të ruajnë gjendjen aktuale.
Rakipi: Sali Berisha bërtet se zgjedhjet janë vjedhur dhe për këtë arsye nuk do të largohet nga PD-ja. Raporti i OSBE/ODIHR-it nuk e thotë që janë vjedhur.
Fevziu: Raporti nuk është pozitiv për qeverisjen.
Rakipi: Kishte problematika. Doktori thotë se do të qëndrojë dhe do të kandidojë në 2026 dhe thotë se do të jetë fushë e hapur, që të kandidojë kush të dojë.
Fevziu: Po kandidoi Berisha, është ai kryetari i PD-së.
Rakipi: Po ai thotë le të vijnë edhe të tjerë.
Fevziu: Berisha nuk fiton se vjedh vota, por fiton se vërtetë brenda partisë është njeriu që merr më shumë vota.
Rakipi: Edhe po të mos dojë ia çojnë aty. A ka nevojë opozita për rinovim, apo ndoshta duhet akoma Berisha?
Fevziu: Opozita kishte nevojë për rinovim, edhe lista zgjedhore e PD ishte gabim, edhe mënyra e funksionimit të opozitës nuk ishte e duhura. Fakti që Ilir Alimehmeti apo Jorida Tabaku u konfirmuan në shifra të larta në raport me njerëz që kanë patur qëndrime më militante, unë mendoj se opozita duhet të jetë më e hapur. Në një shoqëri ku vota nuk funksionon dhe ku ti nuk e mat dot veten me vota, se pretendojnë që Rama i vjedh zgjedhjet, është shumë e vështirë që ti t’i vësh përgjegjësi. Kështu që unë mendoj se opozita duhet të kishte qenë më e hapur.
Një lider goxha i rëndësishëm politik i Kosovës, më tha se ekspertët e PR-it që e këshillonin i kishin thënë që ti nuk do të bësh asnjë akuzë vetë, vetëm do të buzëqeshësh dhe do të flasësh për një jetë më të mirë. Pra denoncimet le ti bëjë partia rrotull teje, ti do të jesh imazhi optimist i partisë. Ti do të thuash se ne do ta bëjmë më mirë se Albin Kurti, do ta kalojmë Albin Kurtin në mirëqenien e qytetarëve, pra ti duhet të ringjallësh optimizëm.
Rakipi: Mendon se e bën Berisha këtë?
Fevziu: Nuk besoj se e bën, se nuk është në stilin e Berishës, por e kam fjalën. Opozita duhet të ndërtonte jo vetëm një strukturë denoncimi, por edhe propozimi. Çfarë ndodhi me partitë e reja? Erdhën me pretendim shumë të madh, por vetëm se u kthyen në kopje të PD, vetëm me denoncime, u reduktuan në as 100 mijë vota. Dhe të mendosh se këto vota i kishte LSI në zgjedhjet e kaluara se shkoi edhe 120 mijë, pra nuk kanë shtuar asgjë nga vota opozitare. Sepse ndoqën të njëjtin format, të denoncimit ndaj maxhorancës. Ky është i rëndësishëm se pa të këtu do të ishte bërë nami, por nuk është format që të nxjerr fitues gjithmonë. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, nuk kanë nevojë vetëm për të nxirë, kanë nevojë të shohin të nesërmen.
Rakipi: Ndoshta problem është aty. Foli një djalë para pak ditësh, nga Forumi Rinor dhe iku i shkreti në Amerikë, që të çlodhej pak, se edhe mund t’i binte njeri… Ndoshtas këta njerëz nuk e bëjnë dot.
Fevziu: Ndoshta duhet të jemi të sinqertë. Jo vetëm këta njerëz. Ne kemi një Ramë që është konsoliduar në pushtet, që përdor të gjitha metodat e mundshme për të mbajtur dhe konsoliduar pushtetin, financat, pushtetin, mediat. Nga ana tjetër kemi një Berishë që e di se nuk kthehet në pushtet vetë se nuk ka as moshën dhe e ka kryer ciklin politik, por u kthye vetë. Ti nuk gjen te PD asnjë njeri me frymëzimin për të ndryshur gjë. Berisha, edhe pse është ashtu, është i vetmi që jeton politikisht.
Rakipi: Po ai ata ka zgjedhur.
Fevziu: Nuk gjen asnjë që besojnë te fitorja, janë njerëz që duan të ruajnë status quo-në e tyre. Ama, ne po flasim për opozitën, por edhe te PS-ja, veç nja 2-3, asnjëri nuk ka ndonjë ideal. Ju e mbani mend fillimin e viteve ’90. Njerëzit përplaseshin, ne jemi përplasur në gazetari me njëri-tjetrin, por besonim që po bënim më të mirën.
