Rreth dy vite burg e 18 të tjera ‘vuajtje’, 56-vjeçari shqiptar shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Salernos
Pas një kalvari që zgjati 18 vite dhe gati dy vjet burg, Leom Komnela, 56-vjeçar nga Shqipëria, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Salernos dhe është liruar menjëherë nga qelia.
Komnela ishte arrestuar në Shtetet e Bashkuara dhe ekstraduar në Shqipëri në mars 2024, nën dyshimin se ishte një person i dënuar me emrin Leonard Mnela. Autoritetet shqiptare kishin bërë gabim në identifikim, duke e lidhur atë me një të tjetër, gjë që çoi në mbajtjen e tij të padrejtë në burg për më shumë se një vit dhe më pas dërgimin në Itali.
Në Itali, ai u akuzua për veprime të rënda kriminale, përfshirë bashkëpunim me organizata kriminale, rrëmbim, tentativë zhvatjeje, trafik droge dhe shkelje ligji për armët. Por hetimet treguan se Komnela nuk kishte lidhje me këto krime, duke e bërë arrestimin dhe mbajtjen e tij në burg plotësisht të pabazuar.
Avokatja e tij, Ilenja Mehilli, e ndoqi çështjen për vite me radhë dhe thekson se u deshën 18 vite për të vërtetuar pafajësinë e tij. Komnela, i martuar dhe baba i dy djemve, është gjithashtu autor librash të botuar në Shqipëri, SHBA dhe në gjuhën spanjolle. Gjykata ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë gabimet dhe përgjegjësitë e autoriteteve, duke vulosur fundin e një padrejtësie që zgjati pothuaj dy dekada.
