javascript hit counter SANXHAKU I NISHIT – HISTORI E DHIMBJES KOMBËTARE - Shqipet

SANXHAKU I NISHIT – HISTORI E DHIMBJES KOMBËTARE

Sanxhaku i Nishit nuk është thjesht një trevë e harruar në hartën e Ballkanit — ai është plagë e gjallë në trupin e kombit shqiptar. Aty, ndër male e fusha që dikur flisnin shqip, u shua me zjarr e gjak një pjesë e shpirtit tonë kombëtar.

Në fund të shekullit XIX, pas Kongresit të Berlinit (1878), kur fuqitë e mëdha vendosën kufijtë sipas interesave të tyre, rreth 700 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit, Toplicës, Pustarekës e Leskovcit u dogjën, u boshatisën dhe u përmbytën në gjak.

Mijëra shqiptarë u vranë, ndërsa rreth 80.000 u dëbuan me forcë nga trojet e tyre stërgjyshore — një eksod që u drejtua drejt Kosovës, ku u njohën si “muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit”.

Në ato ditë të zeza, qytetet e Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit e Vranjës, që kishin qenë pjesë e pandarë e hapësirës shqiptare, u shndërruan në vende të krimit shtetëror serb.
Fshatra të tëra u dogjën, varret u shkretuan, e gjuha shqipe u ndalua. Vetëm kujtesa mbeti dëshmitare e asaj dhimbjeje që s’duhet harruar kurrë.

Por, edhe pse u dëbuan nga shtëpitë, shqiptarët e Sanxhakut të Nishit nuk u gjunjëzuan kurrë. Ata mbajtën me vete zakonet, gjuhën dhe krenarinë. Në çdo këngë, në çdo tregim të bartur brez pas brezi, jeton ende kujtimi i Toplicës shqiptare, që dikur ishte pjesë e zemrës së Ilirisë së lashtë.

Sanxhaku i Nishit është simbol i padrejtësisë historike, por edhe dëshmi e qëndresës së gjakut tonë. Në çdo gur të asaj toke të përflakur rri shkruar:

“Këtu ka qenë Shqipëri!” / @s.ndrecaj

Scroll to Top