Veterani i UÇK-së bëhet Kampion Shtetëror në Bodybuilding në Maqedoni
Shkup – Një histori e jashtëzakonshme force dhe qëndrese: një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili humbi njërën këmbë gjatë luftës së vitit 2001, është shpallur Kampion Shtetëror i Maqedonisë në garat e bodybuilding-ut.
Pavarësisht protezës dhe sfidave fizike, ai u ngjit në skenë për të garuar krah për krah me atletë pa kufizime fizike – dhe doli fitues.
Në reagimin e tij pas fitores, ai shprehu falënderim dhe përulësi ndaj Zotit:
“Falë ndihmës dhe mëshirës së Allahut, sonte arrita të bëhem Kampion Shtetëror i Maqedonisë në garat e body building-ut, edhe pse jam invalid i luftës dhe garova me protezë. Këtë fitore ia kushtoj Zotit, që më dha forcë, durim e vullnet për të mos u dorëzuar kurrë.”
Atleti përfaqësoi me krenari Klubin “Atleta”, duke falënderuar trajnerin e tij personal dhe pronarin e klubit, Mile, për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë përgatitjeve.
“Kjo fitore është dëshmi se me besim në Zotin dhe përkushtim, asgjë nuk është e pamundur,” përfundon kampioni Bejtulla Elezi.
Ky sukses nuk është vetëm sportiv – është simbol i guximit, përkushtimit dhe shpirtit të pathyeshëm të një veterani që, edhe pas humbjeve të luftës, vazhdon të frymëzojë me shembullin e tij.