javascript hit counter Një dëshmi e hershme për prejardhjen shqiptare të Vojsavës, nënës së Skënderbeut - Shqipet

Një dëshmi e hershme për prejardhjen shqiptare të Vojsavës, nënës së Skënderbeut

Burim i rrallë nga vepra “Genealogia degl’Imperatori Romani et Constantinopolitani” e Andrea Comneno (1551)

Një dokument i rrallë i shekullit XVI, i botuar në veprën “Genealogia degl’Imperatori Romani et Constantinopolitani, et de’ Re, Principi, et Signori discesi da Isaaco Angelo, et dal suo Nipote Imperatore Vespasiano”, me autor Andrea Comneno, hedh dritë mbi një aspekt me rëndësi të veçantë të historisë së familjes Kastrioti — prejardhjen fisnike shqiptare të Vojsavës, nënës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në faqen 55 të kësaj vepre, e botuar në vitin 1551, autori shkruan qartë në italishten e vjetër:

“Coi de Musachia ha generato Voissava ch’hebbe Isuann Castriotto signor di Croia, & del contado detto Emathia.”

(“Nga shtëpia e Muzakajve ka zbritur Vojsava, e cila ishte bashkëshortja e Gjon Kastriotit, zot i Krujës dhe i kontatit të quajtur Emathia [Mat].”)

Ky pasazh i shkurtër, por me peshë të madhe dokumentare, është një nga referencat më të hershme të njohura në burimet evropiane që lidhin drejtpërdrejt Vojsavën me fisin e njohur shqiptar të Muzakajve, një ndër dinastitë feudale më të rëndësishme të Mesjetës shqiptare.

Në këtë mënyrë, Comneno — një autor bizantino-italian që vinte nga një familje e vjetër fisnike e Perandorisë Lindore — përfshin familjen Kastrioti brenda një linje të gjerë genealogjike të perandorëve dhe princërve bizantinë e ballkanikë, duke dëshmuar jo vetëm për lidhjet e gjakut të tyre fisnik, por edhe për integrimin e familjeve shqiptare në trashëgiminë politike dhe kulturore të Evropës së Lindjes.

Rëndësia historike e dëshmisë

Ky fragment përforcon bindjen e shumë historianëve shqiptarë dhe të huaj se Vojsava nuk ishte e huaj për trojet shqiptare, por një fisnike shqiptare nga shtëpia e Muzakajve, e njohur që në shekullin XIV për zotërimet e saj në zonën e Beratit, Myzeqesë dhe Tomoricës.

Në kontekstin e historiografisë së mëvonshme, kjo dëshmi e Andrea Comneno-s është me rëndësi të veçantë sepse është e datuar vetëm disa dekada pas vdekjes së Skënderbeut (1468), pra më afër në kohë me brezat që ruanin kujtesën e drejtpërdrejtë të figurës së heroit dhe familjes së tij.

Ndërkohë, përdorimi i termit “Emathia” për të treguar krahinën e Matit – por në shtritje shumë më të gjerë – tregon ndikimin e traditës klasike romake në përshkrimet gjeografike të autorëve humanistë të shekullit XVI, por gjithashtu dëshmon për përdorimin ndërkombëtar të toponimeve shqiptare në burimet e kohës.

Andrea Comneno dhe vepra e tij

Autori, Andrea Comneno, i përkiste një dege të njohur të familjes Komnenëve bizantinë, e cila pas rënies së Kostandinopojës kishte kaluar në Itali. Vepra e tij synonte të ruante trashëgiminë genealogjike të dinastive të lashta perandorake dhe princërore të Evropës Lindore, përfshirë edhe fisnikërinë shqiptare, si pjesë e lidhjeve të gjakut me shtëpitë perandorake të të ashtuquajturit Bizant.

Përfshirja e familjes Kastrioti dhe përmendja e Vojsavës në këtë kontekst tregon se, në sytë e një aristokrati të Rilindjes italiane, Skënderbeu dhe familja e tij përbënin një hallkë të njohur e të respektuar në historinë fisnike të Mesjetës Lindore.

Vepra e Andrea Comneno-s, e ruajtur sot në disa biblioteka evropiane, është një dëshmi e çmuar për studimet albanologjike. Ajo jo vetëm që përforcon tezën e prejardhjes shqiptare të Vojsavës, por edhe përfshirjen e dinastive shqiptare në kontekstin më të gjerë të aristokracisë bizantino-ballkanike.

Në dritën e këtij burimi, historia e Skënderbeut dhe familjes së tij shfaqet jo vetëm si simbol kombëtar, por edhe si pjesë e një mozaiku të gjerë fisnikërie e trashëgimie kulturore evropiane./ Pergatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com

Scroll to Top