Ndërron jetë në moshën 80-vjeçare At Artur Liolin , pasardhësi i Fan Nolit në SHBA
Është shuar në SHBA, At Artur Liolin, kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare, pasuesi i Fan Nolit.
“Një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. At Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij”, shkruan Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Artur Evans Liolini lindi më 19 qershor 1943 në New York, në një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës.
Në vitin 1967 mbaroi studimet për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin “Princeton”.
Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit.
Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë.
Gjatë shërbimit të tij, At Arturi gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar.
Ai ka bërë disa vizita në Shqipëri, duke qenë dashamirës i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka mbështetur veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist.
Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.