free html hit counter

Tragjedia e vitit 1975/ Dokumenti i Sigurimit: Turisti irlandez William Ottonell u hodh nga kati i katërt i Hotel “Apollonia”! Që në hyrje në Shqipëri iu prenë flokët dhe…

Ideja dhe paranoja e Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së e shpallur diku nga mesi i viteve ’60-të, për “krijimin e njeriut të ri, me normat e moralit socialist”, nuk ishte thjesht një “projekt-ide” për ta zbatuar vetëm tek ne shtetasit shqiptarë të Republikës Popullore të Shqipërisë, por edhe për ta “implementuar” te të gjithë shtetasit e huaj, që do të hynin në territorin shqiptar. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një urdhëresë e muajit maj të vitit 1973, e ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, (i cili njëkohësisht ishte edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së), drejtuar të gjitha Pikave të Kalim Kontrollit Kufitar, ku ndërmjet të tjerash, ai shkruante: “Të mos lejohen të hyjnë në RPSH-së të gjithë ata persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, janë në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist si p. sh., burra me flokë si të grave, me baseta shumë të ekzagjeruara, me mjekra të çrregullta, si dhe me veshje të papërshtatshme, konkretisht femra me minifunde dhe maxifunde”!

Sipas tij, kjo bëhej me qëllim; “për të penguar ndikimin e ideologjisë borgjezo revizioniste nëpërmjet, veshjes dhe paraqitjes ekstravagante të të huajve që vijnë në RPSH-së për arsye të ndryshme”! Por duket se ky vendim i qeverisë shqiptare të asaj kohe, i cili vinte pas propozimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe që u zbatua me përpikëri për vite me radhë në të gjitha Pikat e Kalim-Kontrollit Kufitar të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit, jo vetëm që e bëri qesharak Tiranën zyrtare në sytë e botës (nga shkrimet që publikonin në mediat e huaja ata pak gazetarë që u lejuan të vinin në Shqipëri), por ai vendim, duket se ka pasur dhe pasoja të trishta.

Siç ishte edhe rasti i turistit 22 vjeçar, William Patrik Ottonell, i cili bëri vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i katërt i Hotel “Apollonia” në plazhin e Durrësit, vetëm e vetëm pse e kishin qethur dhe ia kishin ndërruar veshjen, porsa kishte hyrë në territorin shqiptar. Kjo gjë bëhet e ditur nga një dokument arkivor me siglën “Sekret” i nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili publikohet për herë të parë dhe me faksimilen përkatëse nga Memorie.al.

Bashkë me këtë dokument, po publikojmë edhe disa dokumente të tjera arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhen disa dokumente që i përkasin vitit 1973, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ka nxjerrë një urdhëresë drejtuar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, me disa kritere që duhet të zbatoheshin për të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e jashtme të tyre, si flokët e gjata, basetat etj., dhe ndalimin e literaturës fetare që ata mund të dispononin, etj.

Si dhe dokumenti me raport-informacionin e Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, drejtuar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me ngjarjen e datës 20.7.1973, ku një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel”, të Gjermanisë Perëndimore, në përbërje të të cilit ishin 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas, u ndaluan të hynin në Doganën e Hanit të Hotit, pasi dispononin literaturë fetare, etj.

Scroll to Top