free html hit counter

Papa Gjon Pali II: “Nëna Terezë është shembulli i transformimit njerëzor të dashurisë së Zotit.”

Nga Albert Vataj /Më 5 shtator 1997, u shua zemra më e madhe që rrahu ndonjëherë për të varfrit dhe të harruarit e botës. Nëna Tereze, bijë e thjeshtë e gjakut shqiptar, e njohur si “misionarja e dashurisë”, la të gjallët për të hyrë në amëshim, duke marrë me vete bekimin e dhimbjes së shndërruar në shpresë dhe të sakrificës së bërë altar.

Trupi i saj u lodh e u konsumua nga shërbesa e përditshme ndaj të pamundurve, të sëmurëve, të braktisurve, por shpirti i saj u ngjit në përjetësinë e Zotit, aty ku mirësia nuk shuhet dhe dashuria nuk harrohet.

Lajmi i vdekjes së saj tronditi botën. Kanale televizive, gazeta e zëra publikë në çdo gjuhë të globit e përcollën ndarjen e saj si humbjen më të rëndë të shekullit. Kombet shpallën ditë zie, tempujt fetarë u mbushën me lutje dhe miliona njerëz, besimtarë e jo besimtarë, e ndjenë sikur kishin humbur një nënë të tyre. Ishte një çast përshpirtjeje, mirënjohjeje dhe pikëllimi universal.

Në ato ditë, nga tryezat e fuqisë politike e deri te selitë e besimeve fetare, nga tribunat e artit deri te penda e intelektualëve, u thanë fjalë që mbetën dëshmi e pavdekësisë së saj. Disa prej tyre shënojnë më fort se çdo epitaf:

  • Papa Gjon Pali II: “Nëna Terezë është shembulli i transformimit njerëzor të dashurisë së Zotit.”
  • Bill Clinton, president i SHBA-ve: “Vigania e shekullit tonë.”
  • Sali Berisha: “Bija më e shquar e kombit tonë.”
  • Jacques Chirac, president i Francës: “Me vdekjen e Nënës Tereze, bota ka më pak dashuri.”
  • Tony Blair, kryeministër britanik: “Shpirti i saj do të jetojë si inspirim për të gjithë ne.”
  • Dr. Don Shan Zefi: “Shenjtëreshë e ditëve tona.”
  • Dr. Don Lush Gjergji: “Ajo ishte dashuri në vepër.”
  • Dr. Don Prekë Lazri: “Njeriu i shekullit që i shtyu njerëzit të besojnë në Zotin.”
  • Imzot Mark Sopi: “Do të mbetet në kujtim të përhershëm derisa të ekzistojë njerëzimi.”
  • Imzot Rrok Merdita: “Nëna Tereze ishte princeshë e dashurisë.”
  • Akademik Mark Krasniqi: “Simbol i traditës sonë.”
  • Bekim Fehmiu, aktor: “Pas Skënderbeut, u largua edhe Nëna Terezë.”
  • Hoxhë Sabri Koçi, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar: “Vdekja e Nënës Tereze ishte vdekja më e rëndë për kombin tonë.”
  • Ismail Kadare: “Bota dhe populli ynë mbetën jetimë pa të.”

Nuk është e lehtë të gjendet një figurë tjetër që bashkon kaq shumë mendje e zemra rreth një ideali të vetëm: dashurinë për njeriun. Nëna Terezë, me trupin e brishtë dhe fuqinë shpirtërore të pathyeshme, mbeti shëmbëllimi më i veçantë i njeriut që jeton me tjetrin, bën për tjetrin dhe shuhet për tjetrin.

28 vite pas ikjes së saj, bota vazhdon ta ndiejë mungesën, por edhe frymëzimin e saj. Emri i Nënës Tereze nuk është thjesht një kujtim, por një thirrje që vazhdon të zgjojë ndërgjegje. Ajo mbetet përjetësisht shenjtëreshë e dashurisë, bija më e ndritur e kombit shqiptar dhe nëna e njerëzimit mbarë.

***
Pasi pësoi një atak në zemër në vitin 1989, Nënë Tereza u përpoq të jepte dorëheqjen si kryetare e Misionarëve të Bamirësisë, por u kthye në atë zyrë me një votë gati unanime; ajo ishte e vetmja disidencë e saj. Në vitin 1997, përkeqësimi i shëndetit e detyroi të dilte në pension të përhershëm dhe urdhri zgjodhi një murgeshë me origjinë indiane, motrën Nirmala, për ta zëvendësuar atë. Nënë Tereza pësoi arrest kardiak dhe vdiq më 5 shtator 1997, në Kalkuta, vetëm disa ditë pas ditëlindjes së saj të 87-të.

Ndërsa bota mbante zi për vdekjen e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II nxori një dispensacion të veçantë për të përshpejtuar procesin e kanonizimit të saj, ose të bëhej shenjtore. Në vitin 2003, ai e lumnoi Nënë Terezën pasi një grua indiane ia atribuoi shërimin e saj nga kanceri në stomak ndërmjetësimit të Nënë Terezës, të cilën Vatikani e njohu si një mrekulli.

Dymbëdhjetë vjet më vonë, Selia e Shenjtë njohu një mrekulli të dytë, pasi një brazilian u shërua nga një infeksion i trurit kërcënues për jetën, pasi familja e tij iu lut Nënë Terezës. Në shtator 2016, Papa Françesku I e shpalli zyrtarisht Nënë Terezën shenjtore 19 vjet pas vdekjes së saj, një ritëm dukshëm i shpejtë për kohët moderne.

Shenjtërimi i Nënës Terezë ndodhi më 4 shtator 2016 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë një meshë solemne të udhëhequr nga Papa Françesku. Në praninë e dhjetëra mijëra pelegrinëve nga mbarë bota, përfaqësues shtetesh dhe udhëheqës fetarë, ajo u shpall “Shenjtëreshë e Kishës Katolike”.

Ky akt erdhi pas njohjes së dy mrekullive të kryera me ndërmjetësimin e saj: shërimi i një gruaje indiane nga një tumor i pashërueshëm në vitin 2002 dhe shërimi i një burri brazilian nga tumori në tru në vitin 2008.

Në fjalën e tij, Papa Françesku e quajti Nënën Terezë “shenjtëreshë të mëshirës” dhe “figurë të dashurisë hyjnore të mishëruar në përkujdesje konkrete për më të varfrit e më të braktisurit”.
Që nga ajo ditë, bota e njeh jo vetëm si misionare të dashurisë, por si Shën Terezën e Kalkutës, simbol i përjetshëm i mëshirës dhe sakrificës njerëzore.

“Ajo e bëri zërin e saj të dëgjohet para fuqive të kësaj bote, në mënyrë që ata të mund të njohin fajin e tyre për krimin e varfërisë që krijuan,” tha Papa në ceremoninë e shenjtërimit, të mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit .

I përgjithmonshëm kjoftë mes njerëzve shërbesa e saj vullnetmirë.

Scroll to Top