VIDEO/ Sekretet e Ali Pashës: Fëmijëria e panjohur, pushteti & rënia
Në këtë episod të Apostrof Podcast bisedojmë me Dorian Koçin – historian, autor i librit “Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës,” i cili ka shkruar gjerësisht në lidhje me historinë e Shqipërisë dhe periudhën osmane – për të ndjekur gjurmët e jetës së Ali pashë Tepelenës, nga fëmijëria e tij e panjohur, tek ngjitja drej pushtetit dhe rënia e tij tragjike.
Ballkani ka patur pjesën e vet të figurave historike paradoksale, por pak prej tyre e kanë mbartur paradoksin në mënyrë më të gjallë se sa Ali Pashë Tepelena. Për shumëkënd, ai ishte një tirani që sundoi përmes dhunës, zjarrit e gjakut, ndërsa për të tjerë, ai ishte një modernizues, i cili i doli kundër Perandorisë Osmane, duke ndërtuar një shtet gjysmë të pavarur brenda saj. Megjithatë, pas mitit shpesh të romanticizuar më shumë se ç’duhet, qëndron njeriu, fëmijëria, familja dhe ngjitja e pagjasë në pushtet e të cilit, vazhdojnë të rezonojnë në Shqipërinë dhe Ballkanin e sotmë.
I lindur në vitin 1740 në qytetin e vogël të Tepelenës, Ali pasha u rrit në një familje të aristokracisë toske, e integruar në sistemin osman, por që kishte nisur të humbte shkëlqimin dhe pushtetin e dikurshëm të saj. Vdekja e hershme e babait, kur Aliu ishte rreth moshës 14-15-vjeçare, e la familjen në një pozicion edhe më të brishtë, ndërsa e ëma luajti një rol të rëndësishëm në formimin e Aliut.
Ndonëse familjet aristokrate të kohës iu jepnin bijve të tyre një arsimim privat mbi adminsitrimin osman, të cilin edhe Aliu e ka ndjekur, interesi i tij duket se qëndronte tjetërkund qysh në fëmijëri. Ai mësoi dyliftimin me shpatë, kalërimin dhe mënyrat e mbijetesës nga gjysmë-vëllai i tij – i njohur si Jusuf Arapi – djali tjetër i babait të Aliut me një skllave etiopiane.
Në rininë e tij, Aliu komandonte një grup banditësh, por historiani Dorian Koçi thotë se kjo nuk vinte nga skamja apo dëshira për pasuri, por sepse ishte mënyra e vetme për t’iu imponuar pushtetit të kohës, veçanërisht kur kishte humbur të atin dhe xhaxhain e tij. Megjithatë, brenda pak dekadash, Aliu dikur i jashtëligjshëm, caktohet nga sulltani si mbrojtës i rrugëve dhe karvaneve, që dikur kishte terrorizuar. Një periudhë, e cila solli një lloj stabiliteti në zonë, pasi siç shprehet Koçi, “Aliu nuk falte askënd, as shokët e tij të dikurshëm hajdutë.”
Ndërkaq, në 1788, Aliu merr titullin e pashait të Janinës. Është e veçantë në rastin e tij, pasi titulli nuk iu dha, por realisht e mori në mënyrë gjysmë të dhunshme, duke shfrytëzuar ndikimin e lobit të tregëtarëve grekë tek Patriarku i Stambollit dhe te Sulltani. Aliu harton një letër, sikur këta tregëtarë i kërkojnë sulltanit të caktojë Aliun, pasha të Janinës, pasi “vetëm ai mund të sjellë siguri dhe qëndrueshmëri” në anarkinë feudale që ekzistonte.
Sundimi i tij 34-vjeçar, përfshinte Shqipërine e jugut dhe Greqinë e veriut, si edhe Thesalinë, ndërsa gjatë kësaj kohe, ai ndërton aleanca me Britaninë, Francën dhe Rusinë. Koçi shprehet se, nisur nga të dhënat historike dhe veprimet e Aliut, ai synoi herë pas here që ta shndërronte territorin e tij në një lloj proto shteti, apo një mbretërie tregëtare.
Ndalemi gjithashtu tek fundi i pushtetit të tij dhe se si dikush, i cili i njihte aq mirë lojërat e pushtetit, në një moment të caktuar nuk arrin të dallojë fundin që po i afrohej. Koçi thotë se gjasat janë, që Aliu ka qenë i vetëdijshëm se pushtetit të tij po i vinte fundi. Megjithatë, ai refuzon ofertën e Britanisë për t’u larguar nga Shqipëria drejt Maltës me thesaret e tij. Kjo, pasi shpresoi deri në fund se sulltani do ta falte. Por, i tradhëtuar edhe nga njerëzit e tij më të afërt, Aliu pati fundin tragjik që të gjithë e dimë. Koçi thekson se fakti që edhe fëmijët e tij, të cilët bashkëpunuan me sulltanin, në fund po ashtu u ekzekutuan, tregon se urrejtja e Portës së Lartë ndaj Aliut ka qenë e madhe, veçanërisht kur sheh se pak vite më pas, në një situatë të ngjashme me Bushatllinjtë në Shkodër, perandoria e fal atë, duke e lejuar të largohet. Madje, kohë më vonë, Bushatlliut i jepet sërish mundësia për të udhëhequr një tjetër territor, këtë herë në Bosnje.
Historia e Ali Pashë Tepelenës ngjan në mënyrë thuajse të frikshme me realitetin e sotshëm në Shqipëri dhe Ballkann. Edhe sot, shohim shpesh karriera politike që ngrihen shpejt (shpesh nga po e njëjta “zonë gri” e ligjit sikurse Aliu), për të rënë sërish në mënyrë të beftë.
Në këtë episode të Apostrof Podcast, shkojmë përtej legjendës së “Luanit të Janinës,” për të ngritur pyetjen se, cili ishte njeriu pas gjithë atij pushteti të hekurt dhe përse historia e tij, vazhdon të rezonojë kaq shumë me politikën shqiptare sot?