free html hit counter

Islamikët ‘zhdukin’ Skënderbeun nga teksti i Ilir Shaqirit në një dasmë në Maqedoni

Teksti i këngës së njohur patriotike “Lulja e Kosharës” të Ilir Shaqirit u ndryshua gjatë një dasme në Tetovë, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.

Në këtë interpretim, dy artistë të pranishëm performuan këngën, por varianti i kënduar nuk përmbante vargun origjinal “Gjaku i Skënderbeut”, i cili u zëvendësua me “Gjaku i këtij dheu”.

Ky ndryshim ka shqetësuar disa komentues, të cilët shprehën pakënaqësi për fshirjen e figurës historike të Skënderbeut nga teksti i këngës. Megjithatë, nuk munguan edhe ata që nuk panë problem në këtë modifikim.

Kënga e Lulja e Kosharës është një nga himnet më të njohura të Luftës së Kosovës, e dedikuar Mujdin Aliut, i cili ra dëshmor në betejën e lavdishme të Kosharës në moshën 25-vjeçare.

Një rast i ngjashëm duket se ka ndodhur edhe me interpretimin e këngës “Po i bjen era retë e zeza” nga këngëtari i ilahive, Adem Ramadani.

Në këtë version, refreni origjinal “Me gjoks flakën t’ia shuajmë topit, jemi gjaku i Kastriotit”, që lidhet me figurën e Skënderbeut, është hequr, duke ngjallur debate të ngjashme mes publikuesve dhe fansave të këngës.

Këto ndryshime kanë rikthyer në vëmendje diskutimin për ruajtjen e teksteve origjinale të këngëve patriotike dhe respektin ndaj figurave historike të shqiptarëve.

https://www.tiktok.com/@historyofmirdita/video/7543323379516919062

Scroll to Top