Kodi i ri penal “djeg dashnorët”: Deri në 4 vjet burg për bigaminë
Kush mban dy lidhje martesore njëkohësisht, rrezikon burgun. Kjo është një nga risitë më të debatuara të draftit të ri të Kodit Penal, që ndodhet aktualisht në konsultim publik. Sipas nenit 742, lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë – pra bigamia – do të konsiderohet vepër penale e dënueshme me gjobë ose deri në 3 vite burg.
Por nëse një person vazhdon të jetojë në marrëdhënie bigamie edhe pasi është dënuar një herë, dënimi ashpërsohet: nga 6 muaj deri në 4 vite burgim.
Ligji ka edhe një efekt jashtë kufijve të Shqipërisë. Bigamia do të ndëshkohet edhe kur është kryer në vende ku ajo është e ligjshme, nëse përfshihen shtetas shqiptarë ose të huaj me qëndrim në Shqipëri.
Drafti synon të përafrojë legjislacionin me normat europiane dhe të mbrojë të drejtat e personave që bien viktimë e martesave të dyfishta – një realitet që, sipas juristëve, është më i përhapur nga sa pranohet publikisht.