Komshiu dhunon të moshuarën në Astir, e godet disa herë dhe e përplas në tokë
Një video me pamje të rënda ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga zona e Astirit në Tiranë. Në video shihet një burrë që dhunon brutalisht një grua të moshuar në ambientet e dyqanit të saj, që njëkohësisht shërben si banesa e saj.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, të cilët tregojnë se e moshuara është viktimë e vazhdueshme e dhunës dhe bullizmit prej vitesh. Sipas denoncimit, ajo është dhunuar më parë edhe nga ish-bashkëshorti i saj, me të cilin është ndarë, por gjithashtu përballet çdo ditë me përçmim dhe fyerje nga një grup grash të lagjes.
Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, shihet momenti kur burri, i cili sipas denoncuesit është bashkëshorti i njërës prej këtyre grave, futet në dyqan vrullshëm dhe e sulmon të moshuarën. Ai e godet disa herë në fytyrë dhe kokë me një qese në të cilën dyshohet se ndodhej një objekt plastik, ndoshta një bidon. Më pas e shan dhe e shtyn me forcë, duke e rrëzuar në tokë dhe duke u larguar sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Nga audio e videos dëgjohen ulërimat e dhimbjes së gruas, e cila përpiqet të mbrohet mes britmave dhe goditjeve të njëpasnjëshme.
Një qytetar, banor i pallatit ku ndodhi ngjarja, shkruan për JOQ Albania:
“Në lagjen time po ndodh një padrejtësi që nuk mund ta hesht më. Një zonjë e moshuar që jeton në një nga dyqanet e pallatit tonë, është viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike prej vitesh. Është në gjendje të rënduar mendore dhe për më tepër dhunohet sistematikisht nga gratë e lagjes. Këto gra çdo ditë e përgojojnë dhe e provokojnë, ndërsa ajo mundohet t’u kthehet. Dhe atëherë e bëjnë dhe më keq. Policia vjen, por kurrë nuk merr masa. I dalin para e i thonë që ajo gënjen, që është e çmendur. Por kamerat e saj tregojnë të vërtetën.”
“Vetëm dua të them se kjo grua, edhe pse në hall të madh, është shumë e kulturuar dhe e njerëzishme. Dhe edhe po të mos ishte, policia ka për detyrë ta mbrojë, jo ta lërë në mëshirë të fatit.”
Sipas qytetarit, pavarësisht denoncimeve të shumta që janë bërë ndër vite, policia nuk ka marrë asnjë masë konkrete. Madje edhe pas dhunës së fundit, e moshuara është marrë me ambulancë, mbajtur vetëm një natë në spital dhe më pas është rikthyer në banesë, pa asnjë mbrojtje apo hetim të plotë për autorin e sulmit.
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve për të vepruar menjëherë! Kjo grua nuk duhet të lihet më vetëm! Dhuna nuk duhet të tolerohet dhe çdo qytetar meriton të jetojë i sigurt në shtëpinë e tij.