free html hit counter

Tragjedi në Bangladesh, avioni ushtarak rrëzohet mbi një shkollë, të paktën 19 viktima dhe mbi 100 të plagosur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të hënë në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, ku një avion i Forcave Ajrore është përplasur mbi një shkollë që kishte mbi 150 nxënës brenda saj.

Të paktën 19 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 të tjerë janë plagosur, shumica dërrmuese nxënës të kësaj shkolle.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:18 me orën lokale, kur avioni ushtarak i tipit BAF F7 u përplas në oborrin e Milestone School and College në lagjen Diabari. Piloti ndodhej mes viktimave. Sipas autoriteteve, të paktën 83 persona janë dërguar në spital, shumica prej tyre në gjendje kritike.

Pamje dramatike janë shpërndarë në rrjetet sociale, ku shihen ushtarë dhe ekipe shpëtimi duke vrapuar nëpër tym dhe flakë për të shpëtuar fëmijët që ndodheshin brenda kampusit në momentin e tragjedisë.

Qeveria ka shpallur ditë zie kombëtare, ndërsa udhëheqësi i përkohshëm i vendit, Muhammad Yunus, ka shprehur dhimbjen për viktimat: “Kjo është një dhimbje e madhe kombëtare. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit dhe kam urdhëruar të gjitha institucionet të reagojnë me prioritet maksimal.”

Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë dhe më pas panë re tymi dhe flakë që mbuluan shkollën. “Kur po merrja fëmijët nga shkolla, dëgjova një shpërthim. Kur u ktheva, pashë vetëm zjarr dhe tym”, tha një prind për Reuters.

Scroll to Top