free html hit counter

RAMA: DO TË ZHDUKIM PARANË CASH DERI NË 2030!

Në ambicien e saj më të fundit, qeveria shqiptare ka vendosur të zhdukë paratë fizike brenda deri në fund të kësaj dekade. Po, e lexuat mirë, në një vend ku ende s’zhduken dot gropat në rrugë, do të zhduket leku nga xhepat.

Kryeministri Rama shpalli me solemnitet këtë plan brilant, si zgjidhje për të shfarosur evazionin dhe informalitetin, të cilët, siç duket, tremben më shumë nga një gjurmë që lë një kafe me e blerë me kartë, sesa një milion euro të vjedhura nëpërmjet tenderave.

“Kemi një ambicie tjetër që deri në fund të kësaj dekade Shqipëria të jetë ‘cashless’, pra që të gjithë ndërveprimet dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet një sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim. Teknologjia nuk mungon. Besoj që, nëse do dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës dhe do dimë të ecim sipas saj, kjo është e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, tha Rama.

Në fakt, shumë shqiptarë e kanë përqafuar këtë vizion që tani, jo nga dëshira për modernizim, por sepse thjesht nuk kanë më para. As në dorë, as në bankë, as në xhep, madje as në mendje. Një “shoqëri pa cash” është bërë realitet, falë inflacionit, pagave mizerabël dhe çmimeve që po rriten më shpejt se karriera e një servili në administratë.

Me këtë ritëm, Shqipëria jo vetëm që do jetë vendi i parë pa para në dorë, por ndoshta edhe i vetmi ku populli është “cashless” ndërsa qeveria është “clueless”.

Scroll to Top