free html hit counter

Letërkëmbimi i Skënderbeut me sulltanët në Arkivin sekret të Vatikanit, si u zbuluan! Çfarë përmbajnë 8 letrat e panjohura, dokumentet

HALIL RAMA *MJESHTËR I MADH/ Fondit të mbi 1500 veprave në formën e jetëshkrimeve dhe librave të ndryshëm mbi jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut, i është shtuar edhe libri tejet interesant i studiuesit të njohur Mark Palnikaj “Skënderbeu, letërkëmbim me Sulltanët”, në të cilin publikohen për herë të parë tetë letra të panjohura nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Napolit dhe nga Arkivi Sekret i Vatikanit.

Libri vjen si rezultat i kërkimeve të autorit Palnikaj në fondin e dorëshkrimeve të vjetra në Bibliotekën Mbretërore të Napolit (Biblioteca Nazionale “Vittorio Emanuele III”di Napoli, gia Reale Biblioteca Borbonica), ku pas hulumtimeve të shumta ndër vite, ka gjetur disa dokumente me të dhëna për Shqipërinë, të panjohura deri sot nga publiku.

Me këtë rast, studiuesi Palnikaj sjell për lexuesin edhe disa dokumente që ndodhen në këtë bibliotekë, ndër më të njohurat ndërkombëtarisht, për shumë njerëz të panjohura, që bëjnë fjalë për letërkëmbimin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj-Kastrioti-Skënderbeu me Sulltan Muratin II dhe Sulltan Mehmetin II. Kësisoj, ndonëse e konsideron një kontribut fare modest, Palnikaj paraqet disa dokumente nëpërmjet këtij botimi, duke hedhur dritë mbi veprën e Heroit tonë Kombëtar.

Libri ka një formë kompozicionale të veçantë, ku në njërën faqe jepen letrat në origjinal të Bibliotekës Kombëtare të Napolit e Arkivi Sekret të Vatikanit dhe në faqet në vijim të përkthyera në shqip.

Vetë titujt e shkrimeve në këtë libër të llojit e stilit të veçantë e ndihmojnë lexuesin të orientohet drejt në studimin dhe përvetësimin e tij. Nga këto tituj do të veçoja: “Disa mendime (të autorit) mbi dokumentin”; “Letërkëmbimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut” (në këndvështrimin analitik të publicistit të njohur Gjok Dabaj); “Kopja e letrave nga Biblioteka e Napolit”; “Kopja e letrave nga Arkivi Sekret i Vatikanit”; “Letra e Skënderbeut nga Kepi i Rodonit, 29 Tetor 1463”dhe “Mandati i Zotëri Skënderbeut në aksion kundër turkut”.

Rëndësia e këtij botimi konsiston në faktin se dokumenti i Bibliotekës Mbretërore të Napolit nuk ishte publikuar asnjëherë më parë. Po ashtu, dokumenti që gjendet në Arkivin Sekret të Vatikanit nuk është publikuar në mënyrë anastatike, por vetëm i transkriptuar.

Autori i këtij libri pohon se në Arkivin Sekret të Vatikanit ka marrë edhe një letër të Skënderbeut, nisur nga Kisha e Shën Mërisë në Kepin e Rodonit më 29 tetor 1463, e shkruar në gjuhën latine dhe e vulosur me vulat e noterit të Skënderbeut. Në të shkruhet se Martin Muzaka caktohet si ndërmjetës në komunikimin midis shtetit të Skënderbeut dhe shtetit të Papës.

SOVRANI I ARBRIT

Në pesë faqe të librit, jepen mendimet të publicistit të njohur Gjok Dabaj, autor i disa librave historikë, studimor dhe artistikë për letërkëmbimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me sulltarët (krahasim i shkurtër midis dorëshkrimit të gjetur në Bibliotekën Mbretërore të Napolit dhe letrave të botuara në librin “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit). Nga këtu mësojmë se letërkëmbimi midis kryeheroit shqiptar të njohur botërisht si Atlet i Krishtërimit dhe dy sulltanëve otomanë të asaj kohe, në variantin që ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Napolit, paraprihet nga fjalimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës më 28 Nëntor 1443, dukshëm i cunguar. Ai fjalim në këtë dokument ka vetëm 200 reshta, ndërsa në librin “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit, (botim i tretë (fq.122-129) ka 7 faqe, dallim ky jo vetëm i dukshëm, por edhe mjaft domethënës.

Po ashtu, letra që sulltan Murati II i dërgon Skënderbeut ka tre faqe (fq.165-168) ndërsa ajo në dokumentin në dorëshkrim të Napolit ka vetëm 34 rreshta.

E njëjta kontradiktë edhe në letrën që Sulltan Mehmeti II i dërgon Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo për faktin se në dokumentin e Napolit mban datën 11 maj 1461, ndërsa në variantin e Barletit, 2 maj 1461, ose 9 ditë para variantit të Napolit.

Gjithsesi sipas publicistit Dabaj rëndësi ka fakti që Sulltan Mehmeti II njeh Skënderbeun Zot dhe Sovran të Arbrit, duke dëshmuar që të 17 vjetët e qëndresës skënderbe jane kanë qenë tejet rezultativë. Dhe ky ndryshim qëndrimi, ndërkohë që 17 vjet më parë (kopja e letrave nga Biblioteka Kombëtare e Napolit) Murati, princi i Turqve, i dërgonte Skënderbeut Ambasadorin e tij, së bashku me një letër me këtë përmbajtje: “Skënderbe, sa më përket mua, unë Murat Beu, perandor i gjithë Lindjes nuk mund t’ju përshëndes aspak, sepse ju u shndërruat në armikun tim kryesor, madje edhe në një mosmirënjohës. (fq.25 e librit të M.Palnikaj).

Ndërsa Skënderbeu (Nga kampi jonë në 14 korrik 1444) i shkruan Sulltan Muratit II se “…kur nuk isha i krishterë, unë nuk guxoja t’ju përgjigjesha, por duke u kthyer drejt vullnetit të Perëndisë, i cili ruan dhe qeveris të gjitha Mbretëritë, po të them se kam ndërmend të mbrohem nga të gjitha ato forca me të cilat ti më kërcënove: Por ti duhet ta dish, gjithashtu, se Fitorja nuk konsiston në numrin e njerëzve, por fillimisht të ketë udhërrëfyes Zotin dhe gjykimin e tij, mandej tek virtytet e njerëzve…”.

Dhe nëse nga Kostandinopoja (22 qershor 1461) Zotëria Turk dërgoi të lartpërmendurin Mustafa bej ambasador tek Skënderbeu, me një letër, ku ndër të tjera i kërkon të bëjnë paqe (fq.115), Atleti i Krishtërimit, kryeheroi shqiptar Gjergj Kastrioti përgjigjet vendosmërisht se “…për asgjë në botë nuk dua të bëj paqe me ty, edhe në qofsha unë aq i vogël, sa i pëlqen Zotit e sikurse ti ishe një perandor kaq i vlertë, i madh dhe i fuqishëm, nga Lindja në Perëndim, gjë që nuk e thotë askush, përveç gojës sate, që nga mendjemadhësia, nga kryelartësia dhe arroganca guxon të uzurposh emrin Perandor…”.

Kësisoj shfaqet guximi, trimëria, largpamësia dhe mendimi e vlerësimi diplomatik i Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në letërkëmbimin me sulltanët, të publikuara për herë të parë në librin e tij nga studiuesi Mark Palnikaj..

STUDIMI

Nga studimi që i ka bërë letërkëmbimit të Skënderbeut me Sulltan Muratin II dhe Sulltan Mehmetin II. (gjithsej tetë letra në harkun kohor të dy dekadave, 1443-1563) autori Palnikaj arrin në përfundimin se letrat e Skënderbeut janë shkruar në mënyrë më shumë diplomatike, duke vënë theksin në drejtësinë e kauzës që mbron dhe duke theksuar se fitorja nuk i buzëqesh gjithnjë më të fortit, por atij që e ka të drejtë nga ana e tij. Kështu ai tregohet i gatshëm të përballet me fuqinë e sulltanëve turq në mbrojtje të kauzës që kishte zgjedhur.

Po ashtu autori Mark Palnikaj evidenton gjuhën e qartë dhe stilin e kuptueshëm të letrave që Gjergj KastriotiSkënderbeu u dërgon sulltanëve Murati II dhe Mehmeti II, të cilat sipas tij përmbajnë shumë ide dhe shprehin nivelin e lartë të kulturës politike të Kryeheroit shqiptar dhe të oborrtarëve të tij që merreshin me çështje diplomatike.

Nisur nga rëndësia e kësaj vepre, shkrimtari filozof Zekeria Idrizi (Nga Republika e Maqedonisë së Veriut, autor i veprës pesë vëllimëshe “Portrete shkrimtarësh”) e vlerëson autorin Mark Palnikaj si studiues e albanolog që ka kryer kërkime të gjëra në arkivat e Vatikanit, Venecias dhe Napolit, duke sjellë në dritë dokumente që pasurojnë historinë e Shqipërisë gjatë mesjetës dhe veçanërisht të epokës skenderbejane.

Mark Palnikaj është një inxhinier, studiues dhe albanolog shqiptar i njohur për kontributet e tij në zbulimin dhe studimin e dokumenteve të hershme në gjuhën shqipe. Ai ka kryer kërkime të gjera në arkivat e Vatikanit, Venecias dhe Napolit, duke sjellë në dritë dokumente që pasurojnë historinë e Shqipërisë gjatë mesjetës.

Një nga zbulimet e tij më të rëndësishme është identifikimi i katër letrave të Skënderbeut drejtuar Vatikanit. Këto letra ofrojnë një perspektivë të re mbi marrëdhëniet diplomatike të heroit kombëtar shqiptar me Selinë e Shenjtë gjatë shekullit XV. Në fushën e arsimit, Palnikaj ka argumentuar se shkolla e parë shqipe është ajo e Kurbinit, e themeluar në vitin 1632. Ai ka paraqitur dokumente që mbështesin këtë pohim, duke sfiduar kështu datat e pranuara më parë për fillimet e arsimit në gjuhën shqipe. Përmes punës së tij të palodhur në arkivat perëndimore, Mark Palnikaj ka kontribuar ndjeshëm në pasurimin e historiografisë shqiptare] , duke sjellë në dritë dokumente të rëndësishme që ndriçojnë aspekte të panjohura të historisë dhe kulturës së Shqipërisë./Panorama

Scroll to Top