Në Izrael bën jehonë heroizmi i kapitenit shqiptar që vdiq duke shpëtuar dy izraelitë në Shkodër
Kapiteni shqiptar Arben Anamali u gjet i vdekur të enjten në Liqenin e Shkodrës pas operacionit për shpëtimin e dy turistëve izraelitë, të cilët ishin duke u mbytur në këtë liqen.
Gazeta e njohur izraelite, The Jerusalem Post, ka shkruar për këtë ngjarje, duke treguar se si kapiteni shqiptar i kishte marrë në varkë me vete shtatë turistë izraelitë.
Dy prej izraelitëve ishin hedhur në ujë, përkundër paralajmërimeve për rrezikun real. Shumë shpejt ata e kuptuan se ishin duke u mbytur.
Edhe pse iu dhanë jelekë shpëtimi, sërish nuk ishte e mjaftueshme. Kështu, kapiteni Anamali u hodh vetë në ujë dhe i shpëtoi dy izraelitët, ndërsa vetë u zhduk nën ujë.
Anamali u gjet pas 48 orëve, ndërsa kryeministri Edi Rama ia ndau të ndjerit mirënjohjen më të lartë, atë të “Dëshmorit të Atdheut”.