free html hit counter

Johann Georg von Hahn, albanologu austriak i cili argumentoi autoktoninë e shqiptarëve

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot albanologun e shquar Johann Georg von Hahn, shkruan atsh.

Më 11 korrik 1811 lindi Johann Georg von Hahn (1811-1869), diplomati austriak i cili u bë edhe albanologu më i njohur i shekullit XIX dhe që luajti një rol të rëndësishëm në studimin dhe dokumentimin shkencor të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.

Në vitet 1834-1843 shërbeu si gjykatës në krahina të ndryshme të Greqisë, ku u njoh me popullsinë shqiptare. Më 1847-1850 ishte nënkonsull i Austrisë për “Shqipërinë e Poshtme”, në Janinë, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit dhe të Apostol Meksit. Ndërkaq, bëri tre udhëtime në Shqipëri. Mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar dhe ishte tejet i interesuar për botën shpirtërore dhe historinë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve të Greqisë. Veç të tjerash, Hahn-i kërkoi nëpër Shqipëri edhe lëndën për veprën e tij madhore në tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854. Aty ai argumentoi për herë të parë, nga një pikëpamje shumëdisiplinare (historike, gjuhësore, etnografike, etj.), autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe prejardhjen e shqipes nga ilirishtja, duke dëshmuar përkatësinë e shqipes si gjuhë e familjes indoevropiane. Në anën tjetër, teza e tij u shfrytëzua nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare për vetëdijesimin kombëtar të popullit dhe për argumentimin e së drejtës historike për autonomi e shtet të pavarur, që do të përfshinte të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët.

Scroll to Top