free web tracker Rilindësi Jusuf Ali Beu-Albani, shqiptari i parë që kërkoi Pavarësinë e Shqipërisë - Shqipet

Rilindësi Jusuf Ali Beu-Albani, shqiptari i parë që kërkoi Pavarësinë e Shqipërisë

Deputet në Parlamentin e parë Osman 1876, si dhe emigrant politik në Sofje të Bullgarisë pas shpërndarjes së parlamentit nga sulltan Abdyl Hamid II. Delegat në Lidhjen e Prizrenit 1878, si dhe i angazhuar nga krerët e lidhjes si diplomat shqiptar për ti paraqitur kërkesat e lidhjes – shqiptarëve përpara faktorit të jashtëm

Nga Mr.Lulzim SADIKU

Jusufi lindi më 1838 në fshatin Premkë të Kërçovës. Në moshë të re u largua nga vendlindja dhe u vendos në Stamboll për të vazhduar shkollimin e tij. Ishte përfaqësues i borgjezisë shqiptare që në atë kohë angazhohet për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Jusufi është rilindës i hershëm, ishte aktiv në Stamboll dhe në kolonitë shqiptare të mërgimit në Sofje të Bullgarisë dhe në Bukuresht të Rumanisë. Si i ri gjatë shkollimit dhe studimeve të tij Jusufi shpesh herë kundërshtonte bashkëmoshatarët, kur i drejtoheshin si Arnavut. Jusufi ishte kategorik për emërtimin e shqiptarëve si Albanyler, Albanyalilar me të mburrej, gjë që më vonë përvetësoj atë pseudonim dhe njihet që atëherë si ALBANI, në qarqet diplomatike të kohës dhe në shkrimet publicistike nënshkruhet si i tillë.

Deputet në Parlamentin e parë Osman 1876, si dhe emigrant politik në Sofje të Bullgarisë pas shpërndarjes së parlamentit nga sulltan Abdyl Hamid II. Delegat në Lidhjen e Prizrenit 1878, si dhe i angazhuar nga krerët e lidhjes si diplomat shqiptar për ti paraqitur kërkesat e lidhjes – shqiptarëve përpara faktorit të jashtëm për të dëshmojnë dokumentet e kohë, si raporti i gjeneralit E. I. Totleben në Edrene i dt. 18 tetor 1878 pas takimit që pati me të, ku gjenerali hollësisht përkitazi me këtë takim e njofton ambasadorin rus në Stamboll A. B. Llobanov – Rostinoskin. Në raport në mes tjerash thuhet: “ Këtë ditë përmes këshilltarit aktiv shtetëror M. A. Hitrov është paraqitur një beg shqiptar, person me mjaft ndikim në Shqipëri, i cili ishte i dërguar nga Grupi njëmendimtarë…! Në pyetjen se çka kërkojnë – dëshirojnë tash shqiptarët, ai u përgjigj: Shqiptarët për vete asgjë nuk dëshirojnë më tepër se çfarë është bërë për kombet e tjera të Gadishullit Ballkanik, e kjo është njohja e pavarësisë së tyre dhe e drejta për të krijuar principatën e tyre”.

Raporti përfundon me fjalët: … “Begu është person në moshë me përvojë, i cili, pa dyshim, e njeh mirë vendin dhe rrethanat, kështu që në bisedë ndikon bindshëm”. Jusuf Ali Beu ishte nga ato që kërkonte reforma në kuadër të perandorisë që të përmirësohet gjendja e popujve që ishin në sundimin e saj pa dallim të kombit dhe besimit që i takonin, për të drejta të barabarta dhe për liri. Gazetar dhe publicist shqiptar që pati një aktivitet gjatë Lidhjes së Prizrenit sidomos në Sofje të Bullgarisë 1877 – 1899 duke botuar katër gazeta në këtë vend si: “Tarla” 1882, “Natas”1883, “Dikkat” 1883 dhe “Ittifak” 1893 – 1899 edhe pse botoheshin në gjuhë të huaj këto gazeta ishin shqiptare dhe mbronin interesin e shqiptarëve.

Ai gjatë Lidhjes së Prizrenit botoi një libër me karakter politik që shpalos historinë e shkurtër të Shqipërisë që nga Skënderbeu deri tek ajo se kush duhet të jetë në krye të shtetit të pavarur shqiptar dhe me çfarë cilësishë dhe vyrtytesh duhet të posedojë: “Ai duhet të jetë i aftë dhe me përvojë në aspektin politik, të sillet njëlloj si me muslimanët ashtu edhe me të krishterët, të dijë e të përfillë zakonet, të dijë se çfarë dokesh evropjane janë të dobishme dhe u nevojiten shqiptarëve, duhet të jetë kundërshtar i flaktë i keqpërdorimeve dhe të jetë i ndershëm”. Kjo paraqet njëherit dhe platformën e parë politike shtruar nga ky rilindës për autonominë dhe pavarsinë të plotë të Shqipërisë që të zgjidhte drejt çështjen shqiptare në Ballkan si të drejtë midis popujve tjerë të kësaj hapësire. “Me shpenzimet e veta botoi broshurën – proklamatën dhe atë sipas korrespondentit ( të gazetës “Golos” ) në disa vargje, në gjuhën shqipe, turke dhe bullgare. I shpërndan gjithëkah dhe u shpjegon njerëzve për kryengritjen e shpejtë të shqiptarëve, për fuqinë dhe trimërinë e tyre”.

Ky libër do të ribotohet dhe në Sofje të Bullgarisë më 29 gusht 1879 me titull: “TEKУЩИ РAЗГOВOРИ ДOСTOЙНЬI ЗA ВНИMAНIE” – “TEKUSHI RAZGOVORI DOSTOJNI ZA VNIMANIE” – “BISEDIME AKTUALE TË DENJA PËR VËMENDJE”. Në shtypin e kohës në një artikull të korrespondentit të gazetës “Golos” më 1880 nga Dubrovniku ndër të tjerat cilësohet dhe si përkthyes, udhërrëfyes, mbledhës i dokumenteve si dhe në të shtohej: “Është përfaqësues i shqiptarit të vërtetë shtatëhedhur, i mençur dhe trim. Kishte afër dyzet vjet, por dukej mjaft i ri. Si duket askush se njeh Gadishullin Ballkanik më mirë se ai. Ai e shëtiti atë gjerë e gjatë, udhëtoi jashtë vendit. Udhëtimet dhe takimet me njerëz ndikuan në zhvillimin e personalitetit të tij. Edhe pse musliman, ai kishte respekt të plotë ndaj të krishterëve. Ai flet mirë bullgarisht. Jusuf Ali Beu njihet si demaskues i flaktë dhe kundërshtar i udhëheqjes turke. Në të njëjtën kohë në artikull vërehet se Jusuf Ali Beu ishte mik i popullit turk”.

Më tej në artikull thuhet: “Ai ëndrronte një kohë kur Shqipëria do të fitojë pavarësinë e vet”. Ideolog dhe luftëtar i çështjes shqiptare me pjesëmarrjen e tij në Kryengritjen mbarë kombëtare të pranverës së vitit 1880, për këtë dëshmojnë faktet historike. “Në materialet e cekura Jusuf Ali Beu si dhe Abdyl Bej Frashëri karakterizohen si ithtarë të vendosur të ngjarjeve për autonominë dhe integritetin e Shqipërisë së Skenderbeut, si ithtarë për autonominë në sundimin qendror të Sulltanit”.

Mbajti lidhje me shumë personalitete shqiptar, ishte mik i Vezirit të madh Mithat Pashës, Nikolla Naçon, Visar Dodanin, Hafiz Ali Korçën e tjerë dhe të huaj me princin bullgar A. K. Dundukov – Korsakov dhe Stojan Vezenkov-in me prejardhje nga Krusheva këto lidhje dhe njohësi do të ndikojnë në zhvillimin e personalitetit të tij dhe ndikimit që kishte në qarqet e diplomacisë së kohës. Jusufi del në përkrahje të lëvizjes reformiste e udhëhequr nga turqit e ri, me mbështetjen e shqiptarëve. Si shumë të tjerë besoi në premtimet e tyre për përmirësimin e gjendjes, kthimin e parlamentit dhe kushtetutës së abroguar nga sulltani, realizimin e të drejtave kombëtare, si mjet për të shtyrë përpara çështjen shqiptare, kjo ishte arsyeja që iu bashkuan dhe e përkrahën atë.

Në fund del i zhgënjyer dhe i mashtruar prej politikës demagogjike të turqve të ri. Figura dhe kontributi i Jusuf Ali Beut- Albanit për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare zgjon interes te studiuesit dhe njëqind vjet pas vdekjes së tij. Ndërroi jetë në vitin 1925 në Stamboll.

Scroll to Top